Parlamenti i Malit të Zi miraton ndryshimet në ligjin për liritë fetare

Parlamenti i Malit të Zi shfuqizoi nenet që shtetëzojnë pronat e Kishës Ortodokse Serbe në këtë vend, të miratuara vitin e kaluar me ligjin e ri për Liritë Fetare, nismë e qeverisë së ish-kryeministrit Dushko Markoviç.

Ndryshimet u miratuan me 41 votat e shumicës së re qeverisëse e kryeministrit Zdravko Krivokapiç. Munguan në seancë deputetët e opozitës. Partia kryesore opozitare e Demokratëve Socialistë të presidentit Milo Gjukanoviç protestoi të Hënën para parlamentit në Podgoricë, duke e quajtur qeverinë e re tradhtare dhe çetnike.

Me shfuqizimin e nenit për pronat e Kishës Ortodokse Serbe, grupimi kryesor i shumicës qeverisëse, ai pro-serb përmbush premtimin e bërë para kryepeshkopit Amfilohije, i cili udhëhoqi protestat popullore kundër ligjit në fund të vitit 2019 dhe bashkoi grupet politike pro-serbe për të rrëzuar nga pushteti ish-kryeministrin Markoviç.

Neni i shfuqizuar parashikonte shtetëzimin e gjithë pronave që Kisha Ortodokse Serbe i kishte marrë në dorëzim në vitin 1918. 

Tv Klan