Vetëm pak orë pasi i ka mbërritur listat me propozimet për shkarkime dhe emërime të reja në qeveri nga kryeministri, presidenti i Republikës ka shpallur dekretet.

Në bazë të marrëveshjes së 18 majit mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, postin e zv. kryeministrit e lë Niko Peleshi që zëvendësohet nga Ledina Mandia, ministri i ri i Brendshëm në vend të Fatmir Xhafës vetëm 2 muaj pasi u emërua në atë detyre, është kolonel Dritan Demiraj.

Hegla Vukaj është ministrja e re e Financave që zëvendëson Arben Ahmetajn.

Ministria e Drejtësisë që ka njohur dhe lëvizjet me të mëdha të titullarëve në këto 4 vite, do të drejtohet nga Gazment Bardhi, i cili i merr postin Petrit Vasilit.

Mjeku Arben Beqiri ministri i ri i Shëndetësisë në vendin e Ogerta Manastirliut, Xhuljeta Kertusha ministrja e re e Mirëqenies Sociale në vendin e Olta Xhackes. Të dyja këto ministri që ashtu si ajo e brendshmja do të ndërrojnë titullar vetëm brenda 2 muajve.

Ndërsa Lindita Nikolla te arsimi ia le postin Mirela Karabino.

Ministrat e rinj do të votohen pasdite në parlament, në një sesion të jashtëzakonshëm, që shënon edhe fundin e bojkotit 3 mujor të opozitës.

Por ndërkohe që presidenti dekretonte emrat e ministrave të rinj, në një mbledhje jashtë radhe kryeministri Rama bëri disa lëvizje taktike, siç i cilësojnë burime pranë kryeministrit. Në të gjitha ministritë që ju lanë opozitës si pjesë e marrëveshjes, ka vendosur zëvendësministra të rinj, të cilët duken të jene njerëz më politik.

Ervin Mete në Ministrin e Financave do të zëvendësohet nga Irena Beqiraj.

Eridjan Salianji tek drejtësia do të pasohet nga Etilda Gjonaj.

Elona Gjebrea ikën nga ministria e brendshme për tu zëvendësuar nga  Rovena Voda.

Redi Shtino zëvendësohet nga Gerti Janaqi tek Ministria  e Arsimit dhe zëvendës ministrja e re e shëndetësisë do të jetë Mira Kapisyzi.

Po ashtu në këtë mbledhje janë emëruar dhe prefektët e rinj të Tiranës, Korçës, Fierit Durrësit dhe Beratit.

Tv Klan