Balla: Presidenti turp për Shqipërinë. Cenoi marrëdhëniet me SHBA, nxiti dhunë

Socialistët nuk kanë humbur aspak kohë duke zyrtarizuar me votë në parlament ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Në krye të raportit paraprak, Taulant Balla listoi cenimin e rëndë në marrëdhëniet mes Shqipërisë e SHBA-ve, duke iu referuar deklaratave të kreut të shtetit pak ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve.

Sipas socialistëve nxitja e dhunës, vetëgjyqësia dhe anësia për opozitën  para, gjatë dhe pas 25 Prillit janë të tjera shkelje të rënda të Kushtetutës nga ana e kreut të shtetit.

Qëndrimi i Ilir Metës në Presidencë sipas maxhorancës do të përbënte jo vetëm turp për vendin, por mbi të gjitha shpërdorim detyre nga ana e shumicës.

Ndaj për maxhorancën, e drejta e shkarkimit të kreut të shtetit i takon këtij Kuvendi, i cili duhet të rivendosë ligjshmërinë në institucionin e presidentit. Për këtë arsye, Balla ftoi si opozitën në parlament, ashtu edhe atë të dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit për t’iu bashkuar nismës së saj.

Tashmë është në barrën e Komisionit Hetimor për të provuar shkeljet e rënda të Kushtetutës që socialistët pretendojnë se janë kryer nga Presidentit Ilir Meta. Ky komision do të ketë në përbërjen e tij 9 anëtarë dhe do të drejtohet nga Alket Hyseni.

Data 9 Maj është afati fundit për ngritjen e Komisionit Hetimor, ndërkohë që ai duhet të përfundojë punën e tij brenda datës 9 Korrik, dy muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit aktual. Një ditë më parë, Presidenti Ilir Meta refuzoi të ishte në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve për t’u dëgjuar, duke kërkuar që kjo seancë të zhvillohej më 10 Maj.

Tv Klan