Rama: Premtim i përmbushur. Berisha: Është indeksim

Parlamenti ka miratuar edhe me votat e një pjese të opozitës së djathtë projektligjin për rritjen e pagave të administratës si dhe magjistratëve, Presidentit të Republikës, anëtarëve të Këshillit të Ministrave e deputetëve.

Kryeministri jo pa krenari e vlerëson këtë si premtim të përmbushur me vonesë nga shumica e tij, që do e çojë nivelin e pagave në atë të rajonit në 2024.

Edi Rama: Kjo shumicë qeverisëse po bën rritjen më të lartë historike të pagave.

Edhe pse Rama nuk ishte në sallë, Sali Berisha pak minuta më vonë do deklaronte se nuk ka një rritje reale të pagës, por vetëm indeksim.

Sali Berisha: Nuk e votoj kurrë ligj, se ky ligj është një mashtrrim i tmerrshëm. Se ju sa dyfishoni rrogat e zyrtarëve të lartë, defacto zbrisni me 1% në raport me inflancionin rrogat e mësuesëve. Propozuam që të vendosim minimumin jetik, t’i japim çdo shqiptari 200 euro.

Për kë nga radhët e opozitës që u deklarua kundër rritjes së pagave dhe për vetë ligjvënësit, Kryeministri i kujton hierarkinë e pagave që aplikon çdo shtet dhe pranon se rritja e pagave për prokurorët dhe gjyqtarët jashtë kësaj hierarkie pas Reformës në Drejtësi ishte një lajthitje juridike.

Edi Rama: Nuk mund të ndërtosh një piramidë pagash dhe të vendosësh presidentin nën një mësues. Doni ju të bëni këtë qarjen e halleve? S’ka nevojë ju që shtesën e pagave t’ja çoni jetimores. Hajde vendosni pagën minimale këtu për deputetët. Gati jam unë.

Ndërsa Berisha dhe deputetët e tij votuan kundër projektligjit, vetë Rama deklaroi votën kundër një prej pikave të projektligjit, atë të hyrjes në fuqi të rritjes së plotë të pagave për zyrtarët e lartë menjëherë, ndërkohë që për administratën dhe kategoritë e tjera shtesa do të jetë e ndarë në harkun e një viti.

Edi Rama: Bëni ç’të doni, unë vetë nuk e votoj këtë pikë. Për mua paga duhet të vendoset sot dhe duhet të hyje në fuqi ditën që bëhet rritja e pagës deri tek më i fundit.

Por diskutimi si i Ramës ashtu dhe Berishës nuk u ndal vetëm tek pagat, por dhe zgjedhjet. I pari i kërkon opozitës të lexojë si duhet rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa i dyti përsëriti se votat u blenë në 14 Maj.

Edi Rama: Më shumë se sa fitorja jonë ajo është disfata absolute e politikës që bartet nga të gjithë ju që vini këtu dhe këndoni dokrrat tuaja. Vjen një ditë siç erdhi në Shkodër dhe pastaj firojnë ata që uroj ta vazhdoni se unë nuk hyj tek ata që mendoj që pluralizmi dhe demokracia po kërcënohet se ju po ikni për pambuk. Unë mendoj që ju duhet të ikni për pambuk në qoftë se ne duam të kemi një skenë politike ashtu siç e meritojnë shqiptarët.

Sali Berisha: Me mekanizmat më kriminale, të hapura dhe nën dorë iu konfiskua vota dhe vullenti i tyre i lirë.

Kryeministri iu përgjigj dhe akuzave të shpopullimit dhe për të disatën herë kërkoi që ta kuptojnë se kjo është një plagë e të gjithë botës, përfshi shtetet e fuqishme si Gjermania.

Edi Rama: Kjo nuk ka lidhje fare me asnjëra nga palët, ky është impakti dramatik i produkteve të globalizmit.

Procedura për miratimin e të gjithë neneve që përmbanin 3 projektligjet për shtesën e pagave, ishte e gjatë. Dhe drejtuesja e seancës e reflektoi lodhjen edhe me zë.

Ermonela Felaj: Nuk e kam… vari l*shtë.

Fatura financiare që do të përballojë buxheti i shtetit për këto shtesa të pagave llogaritet në 39 miliardë Lekë.

Tv Klan