Pozita dhe opozita përleshen me grushta

Interpelanca me Ministrin e Brendshëm bolivian, Eduardo del Castillo, për arrestimin e ish-Presidentes konservatore Jeanine Áñez, solli perleshje fizike në parlament mes ligjvënësve të Partisë Socialiste në pushtet dhe opozitës së djathtë.

Raporti i Ministrit të Brendshëm Del Castillo u parapri nga protestat jashtë parlamentit të familjarëve të viktimave që u vranë në vitin 2019 nga ushtria, kohë kur zonja Áñez kishte marrë presidencën, pas largimit nga pushteti të ish-Presidentit Evo Morales.

Áñez, e cila mori drejtimin e qeverisë së përkohshme, u burgos nën akuzat se ajo kishte nxitur grushtin e shtetit kundër ish-Presidentit socialist Evo Morales, partia e të cilit rimori pushtetin në vitin 2020.

Në vitin 2019, ndaj Morales, u organizuan protesta të dhunshme të motivuara me akuzat se ai kishte fituar me mashtrime zgjedhjet ku garoi për një mandat të katërt presidencial. Të paktën 33 njerëz u vranë në dhunën që pasoi zgjedhjet parlamentare.

Klan News