Sesioni i ri parlamentar për këtë legjislaturë do të nisë pasditen e sotme me votimin e dy dekreteve të Presidentit; atë për shkarkimin e Ditmir Bushatit nga posti i Ministrit të Jashtëm dhe emërimin në vend të tij të kryeministrit Edi Rama.

Kreu i qeverisë vendosi ta përfaqësojë vetë këtë dikaster pas refuzimit që Presidenti Meta i  bëri emrit të Gent Cakajt të propozuar më herët për këtë post nga Rama.

Ndërkaq opozita ende nuk ka marrë një vendim nëse do të jetë e pranishme në punimet e seancës plenare të pasdites, për këtë arsye në orën 16:00 kreu i demokratëve ka thirrur një mbledhje grupi.

Burimet i thanë televizionit Klan se përfaqësuesit e opozitës do të jenë në parlament, por nuk dihet ende se cila do të jetë strategjia që do të ndjekin përfaqësuesit e saj, nëse do të lejojnë zhvillimin apo jo të një seance normale, nisur nga punimet e tensionuara të sesionit të jashtëzakonshëm të pak ditëve më parë.

Tv Klan