36 pr/ligje e 9 dekrete për 3 javët e para

E hëna e parë e këtij Shtatori shënon dhe nisjen e sesionit të ri parlamentar me seancën plenare këtë pasdite.

Konferenca e Kryetareve ka miratuar kalendarin 3-javor të punimeve të Parlamentit ku janë parashikuar të miratohen 36 projektligje, projektvendime e dekrete për t’u shqyrtuar e votuar në komisione e seanca plenare.

Mazhoranca ka marrë vendim t’i rrëzojë të 9 dekretet e kreut te shtetit, mes të cilave dhe ato që kthen për rishqyrtim, ndryshimet në Kodin Penal, ligjin për koncesionet, për Akademinë e Shkencave apo atë të dy kontratave koncesionare për dy vepra të mëdha publike siç është rruga Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat.

Duke patur parasysh se rrëzimi i dekreteve kërkon shumicë të thjeshtë, nuk pritet të ketë ndonjë surprizë. Po ashtu, në seancën e datës 12 Shtator është parashikuar dhe një interpelancë e Kryeministrit me deputetin e opozitës së re Lefter Maliqi. 

Dy janë sfidat që ka përpara Parlamenti në këtë sesion të ri, nisma për shkarkimin e kreut të shtetit dhe reforma zgjedhore. Të dyja kërkojnë bashkimin e votave me opozitën, e cila ka vendosur kushtet e saj.

Për reformën zgjedhore që duhet të përmbyllet brenda Nëntorit kur përfundon afati i Komisionit të Posaçëm Parlamentar, deputetët e opozitës parlamentare kërkojnë ndryshim të sistemit zgjedhor.

Tv Klan