Parlamenti shkarkon kryeprokuroren Janeva

Posta

Parlamenti shkarkon kryeprokuroren Janeva

21:37 14/09/2019

Votimi njëzëri nga të gjithë deputetët e pranishëm

Një ditë para skadimit të mandatit katërvjeçar, deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, njëzëri e shkarkuan Katica Janevën nga funksioni Prokurore Speciale Publike për shkak të kryerjes së funksionit në mënyrë të jashtëligjshme dhe joprofesionale.

Për shkarkimin e Janevës, e cila gjendet në paraburgim si e dyshuara e tretë për rastin “Zhvatja”, votuan 102 deputetë, respektivisht të gjithë të pranishmit. Nuk munguan edhe përplasjet partiake mes dy forcave kryesore politike në vend. Temë diskutimi u bë edhe aktualiteti politik.

“Më lejoni t`ju them se edhe këtë që përpiqeni ta bëni këtyre ditëve në një marrëzi juridike, do të përfundojë në këtë mënyrë. Rrugës ndoshta do të cenoni fatin e dikujt, por çdoherë kur shteti nuk respekton Kushtetutën, kur Kuvendi miraton ligje jokushtetuese, punët përfundojnë në këtë mënyrë”, tha Ilija Dimovski nga VMRO–DPMNE.

Por, nga LSDM-ja akuzuan VMRO-DPMNE-në dhe liderin Micksoki se kanë punuar sipas urdhrave të Nikola Gruevskit nga Budapesti, siç thanë, për të shpëtuar ish-funksionarët e akuzuar të opozitës.

“Tash është e qartë përse dialogu politik dhe takimet mes Zaevit dhe Mickoskit nuk patën sukses. Nuk patën sukses për shkak se Zaevi dhe LSDM-ja duan që të vazhdojnë lëndët dhe hetimet e PSP-së, kurse Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja bëjnë gjithçka që ato të rrënohen. Gjithçka tjetër është lajm I rrejshëm”, tha Jovan Mitrevski.

Në këtë seancë u prononcuan edhe deputetë të partive shqiptare si dhe nga Grupi i pavarur i VMRO-DPMNE-së. Nga Lëvizja Besa edhe njëherë ripërsëritën propozimin e tyre për ekspertë ndërkombëtar në sistemin e Prokurorisë së Maqedonisë së Veriut.

Më 15 Shtator të vitit 2015 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë me 108 vota zgjodhën Janevën për Kryeprokurore Speciale për ndjekjen e veprave penale që dalin nga përmbajtja e përgjimeve të jashtëligjshme. Ligji me të cilën ajo u zgjodh, si dhe vendimi që pikërisht ajo të jetë Prokurore Speciale ishin pjesë e negociatave të Përzhinës që erdhi si pasojë e krizës politike pas publikimit të ashtuquajturave “bomba” të opozitës. Janeva u arrestua me 21 Gusht në banesën e saj në një lagje të Shkupit, një ditë pasi në Prokurorinë Publike kishte dhënë dëshmi në praninë e avokatit. Para saj për rastin “Zhvatja” u arrestuan edhe dy persona tjerë.   

Tv Klan                              


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi