Partia Aleanca Demokratike duhet të dalë nga koalicioni qeveritar me PS-në. Sot është mbledhur organizmi më i lartë drejtues i kësaj partie,presidenca e cila ka diskutuar për disa çeshtje organizative të brendshme dhe për situatën politike në vend. Kjo mbledhje ka shqyrtuar disa propozime të presidentit të saj për krijim degësh të reja dhe plotësimin e dy vendeve bosh në forumin më të lartë drejtues.

Më pas është vazhduar me diskutimin e situatës politike në vend ku Gjergj Zefi një nga anëtarët e presidencës së partisë ka kërkuar daljen nga koalicioni qeverisës. Kjo pikë ka ngjallur mjaft debat mes tij dhe Neritan Cekës i cili e ka motivuar qëndrimin në koalicion si të domosdoshëm për këtë forcë politike. Presidenti i kësaj partie ka përsëritur dhe njëherë se marrëveshja për krijimin e koalicionit është bërë në bazë forumesh partiake dhe jo me emra të përveçëm.

Nga ana e tij Zefi ka propozuar 5 pika për të rritur eficencën politike të kësaj force të cilat kanë gjetur mbështetje mes anëtarëve të Presidencës. Kërkesa për dalje nga koalicioni është hedhur disa herë për diskutim në forumet e kësaj partie por mesa duket ende nuk është koha për të legjitimuar këtë hap. /tvklan.al