Sali Berisha shpall maratonën e mitingjeve. Pas 7 muaj heshtje Partia Demokratike zbriti sot në orën 12.00 në Sheshin Skënderbej për të rikonfirmuar edhe një herë kërkesën e kësaj partie për zgjedhje të reja. Ka qënë ky sllogani më i brohoritur nga të pranishmit pa harruar thirrjet tradicionale të simpatizantëve të PD-së : “Azemi është gjallë”, apo “Poshtë Fatos Nano”.

Me gjithë porositë e liderit demokrat Sali Berisha për të mos e përmendur emrin e kundërtashtarit të tij më të madh politik, kjo nuk i ka ndaluar të bërtasin kundër dëshirës së kryetarit. Në këtë miting të parë të vjeshtës së këtij viti, fjalën e mori kryetari i PD-së për Tiranën Vili Minarolli, Sekretari i përgjithshëm i partisë Ridvan Bode dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, të cilët kanë bërë panoramën e gjendjes në vend dhe duke vënë në dukje qeverisjen e keqe socialiste, përsa i përket papunësisë, rendit, korrupsionit dhe varfërisë.

Nën brohoritjet frenetike të të pranishmëve, Sali Berisha ka rikonfirmuar tezën se e ardhmja e Shqipërisë është alternativa e Partisë Demokratike dhe se përmirësimin e jetës së tyre shqiptarët duhet ta lidhin ngushtë me kërkesat e partisë që ai drejton. Pas fjalës së tij pjesëmarrësit kanë vazhduar protestën përgjatë bulevardit me parrullat dhe kërkesat e mitingut. Mitingu është ndjekur nga forca të shumta të policisë madje dhe nën drejtimin e krerëve më të lartë të rendit për kryeqytetin./tvklan.al