Përpara 5703 delegatëve të Kuvendit Kombëtar Lulzim Basha e tha prerë se Partia Demokratike nuk do e njohë rezultatin e zgjedhjeve të 25 Prillit.

“Për ne 25 prilli nuk është një histori e mbyllur, masakra zgjedhore nuk është thjesht hileja e tij e radhës kundër shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, por është një krim që kërkon ndëshkim. Ne nuk e njohim atë, dhe autorët e saj duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi për cfarë i kanë bërë vendit tonë dhe demokracisë!”

Ndaj dhe në betejë me armikun e demokracisë, siç e cilësoi kryeministrin Rama tha se do të jetë brenda dhe jashtë parlamentit, duke paralajmëruar një aksion të ashpër opozitar me nisjen e sesionit parlamentar në Vjeshtë.

“Ne do të luftojmë me gjithë forcën tonë kundër këtij regjimi, në të gjitha mënyrat, brenda dhe jashtë parlamentit, brenda dhe jashtë Shqipërisë, derisa kauza e demokracisë dhe e Shqipërisë europiane të ngadhënjejë.”

Këtë betejë nuk e ka aspak me socialistët, por me modelin qeverisës të Edi Rames, përballë të cilit tha se me nisjen punimeve të Kuvendit opozita do të kërkojë ndryshime kushtetuese dhe reforme të re territoriale.

“Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha grupet shoqërore. Që kërkojnë zgjedhje të lira, ndryshime kushtetuese dhe ligjore që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor.”

Nuk u mor vetëm me kundërshtarët në kampin roze por edhe me të vetët që e bëjnë përgjegjës për humbjen e tretë radhazi në zgjedhje.

“Dora ime do të mbetet përherë e shtrirë nëse doni t’i bashkoheni aksionit tonë, dhe t’i ktheheni vlerave tona, por kurrë më nuk do të kthej faqen tjetër ndaj gjithë atyre që sakrificat e demokratëve i shpërdorojnë për inate personale apo përfitime të përkohshme.”

Dorën ia shtriu edhe kritikëve të larguar nga Partia Demokratike.

“Natyrisht ne i mirëpresim kritikat, pranojmë vërejtjet, sugjerimet dhe thirrjet për të bërë më shumë, për të bërë më mirë. Por kurrsesi nuk mund të pranojmë që padrejtësitë e kryera, jo mbi Partinë Demokratike, por mbi gjithë shqiptarët, të relativizohen dhe vjedhja e zgjedhjeve, përdorimi i krimit dhe i çdo mjeti të paligjshëm të normalizohen”

Në punimet e këtij Kuvendi me unanimitet u miratuan edhe ndryshimet statutore të bëra nga Lulzim Basha.

Tv Klan