“Nuk duhet të drejtohen nga anëtarë të partive politike”

Drejtimi i institucioneve më të rëndësishme të sigurisë në Malin e Zi mund t’u kalojë shqiptarëve.

Mediat malazeze shkruajnë se partia URA e shqiptarit Dritan Abazoviç mund të marrë drejtimin e institucioneve të rëndësishme si shërbimin sekret, Ministrinë e Brendshme dhe atë të Mbrojtjes.

Vetë Abazoviç, në një intervistë për shtypin vendas, e ka lënë të hapur mundësinë që partia e tij të drejtojë shërbimin sekret dhe policinë. Ai thekson kushtin që emërimet në krye të institucioneve të mos jenë politike.

“Nuk dua të flas për Ministri të caktuara, por kemi qëndrime të harmonizuara me zotin Krivokapiç. Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe Drejtoria e Policisë nuk duhet të drejtohen nga anëtarë të partive politike. Nuk mund të them se për cilat departamente jemi duke diskutuar aktualisht, pasi kjo do të vështirësonte negociatat, por është e qartë se për çfarë bëhet fjalë”.

Mediat malazeze bëjnë të ditur se partitë pro-serbe që pritet të jenë pjesë e qeverisë së re kundërshtuan fillimisht mundësinë që përfaqësues të pakicave të merrnin drejtimin e institucioneve të rëndësishme për sigurinë kombëtare.

Por ato u tërhoqën pas presionit të madh të ushtruar nga NATO dhe vendet perëndimore që janë kundër emërimit të politikanëve të lidhur me Moskën në këto poste kyçe për sigurinë e një vendi anëtar të Aleancës Veri-Atlantike.

Pritet që marrëveshja përfundimtare për formimin e qeverisë së re të drejtuar nga Zdravko Krivokapiç të finalizohet brenda 30 Tetorit.

Tv Klan