PD dhe aletatët e saj firmosën sot marrëveshjen për krijimin e koalicionit të ri opozitar “Aleanca për Ndryshim”, në ditën e fundit të afatit zyrtar, vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Përfundimisht PD dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të shkojnë drejt zgjedhjeve parlamentare me dy lista të ndara kandidatësh për deputetë në nëntë qarqe të vendit.

Për të maksimalizuar votën e opozitës, PD dhe LSI do të paraqiten me një listë të përbashkët të kandidatëve për deputetë vetëm në tre qarqe, Gjirokastër, Dibër dhe në Kukës.

Ajo që bie në sy është kthimi në koalicionin që kryesohet nga Partia Demokratike, i partisë Fryma e Re Demokratike e ish-presidentit Bamir Topi, i cili në zgjedhjet e fundit lokale bashkoi votat me socialistët.

Gazetarja e Klan News, Klesiana Omeri, ka raportuar nga selia blu harmoninë në këtë koalicion, teksa ka theksuar se negociata të vështira ka pasur mes kryedemokratit Lulzim Basha me Partinë Republikane e Fatmir Mediut.

Pyetje: Si është brenda harmonia përtej dyerve, përtej asaj që shohim? Si duket harmonia në këtë koalicion?

“Ka pasur takime të shumta dhe lëvizje të vazhdueshme në selinë blu ditën e sotme pasi me secilin prej aleatëve kryedemokrati Lulzim Basha ka nënshkruar marrëveshje specifike pasi në marrëveshjen e përbashkët të bërë publike nuk ka detaje për numrin e kandidatëve që do të jenë në listë për secilën prej partive të vogla apo radhitjen në listën e përbashkët që do të kenë. Po ashtu negociata të vështira ka pasur kryedemokrati Lulzim Basha edhe me Partinë Republikane, me kryetarin Fatmir Mediu i cili deri në orët e fundit është bindur për ta nënshkruar marrëveshjen.”

Në kuadër të marrëveshjes, PD zotohet se aleatët do të përfaqësohen me emra kandidatësh në listë, në bazë të rezultateve të mëparshme zgjedhore.

Poshtë emrit të koalicionit opozitar do të shkruhen emrat e partive që janë pjesë e koalicionit.

Kandidatët në listë duhet të jenë kandidatë të koalicionit dhe jo të partive, njësoj siç u veprua në 2017-ën.

Me rëndësi është vendimmarrja e koalicionit të PD-së dhe atij të LSI-së pas zgjedhjeve në përpjekjen e tyre për të arritur mbi 71 deputetë, minimum për krijimin e qeverisë së re pas 25 Prillit.

Klan News