Dështon bojkoti opozitar, pjesëmarrja mbi 50%

Partia Progresive e Serbisë e Presidentit Aleksandar Vuçiç, është fituese absolute e zgjedhjeve në Serbi. Bojkoti nga ana e një pjese të opozitës ka dështuar pasi në zgjedhje kanë marrë pjesë mbi 50 përqind e votuesve.

Dy orë pasi janë mbyllur vendvotimet, kanë dalë rezultatet e para. Në selinë e Presidentit Vuçiç fillimisht janë futur trumpetat me muzikë tradicionale serbe.

Më pas Vuçiç tha se rezultati konfirmon punën e tij dhe se do të bëjë qeverisje të gjerë edhe me ata që nuk janë futur në Parlament.

“Do të luftoj për Serbinë çdo ditë, do të luftoj me zemër, me gjithë dijen time, me gjithë energjinë që kam dhe nuk ekziston asgjë në botë më e bukur, më e mirë dhe asgjë më hyjnore, nga Serbia jonë”.

Kreu i progresistëve tha se e presin punë dhe udhëtime menjëherë në Moskë, mbase në Bruksel dhe në Uashington ku do të takohet me liderët e Kosovës dhe ku do të vazhdojë puna e qeverisë së tij për zgjidhjen e problemeve të Serbisë.

Partia e dytë është ajo socialiste e shefit të diplomacisë, Ivica Daçiç me rreth 13 përqind dhe e treta e kryetarit të mini bashkisë së Beogradit të ri që ka rreth 200 mijë banorë.

Tv Klan