Forumet drejtuese të PS në koordinim me Presidentin Mejdani dhe partitë e tjera të koalicionit janë vënë menjëherë në lëvizje për të përcaktuar Kryeministrin e ri. Kryetari i PS Nano dhe sekretari i përgjithshem Dokle kanë biseduar disa orë në selinë e PS-së për përbërjen e kabinetit të ri qeveritar.

Fatos Nano: Nuk ka asnjë arsye që të mos jetë Meta, meqë ju pyetët për Metën, dhe do të ishte një nga pikat e forta dhe reale të sigurimit të një vazhdimësie logjike dhe të një vazhdimësie të punës të administratës dhe të kabinetit qeveritar.

Pas takimit Nano dhe Dokle janë nisur drejt Presidencës. Takimi ka përfunduar pak para se të vinte në Presidencë, Kryeministri Majko me kërkesën e tij për dorëheqje. Kandidati kryesor për Kryeministër është Zëvëndës Kryeministri aktual Ilir Meta.

Servet Pëllumbi: Zoti Meta është një nga kandidaturat që do diskutohet në
mbledhjen e KPD-së. Aty do ketë dhe kandidatura alternative.

Arta Dade: Unë tani për tani kam parasysh Metën por kjo s’do të thotë që mund të mos ketë edhe kandidatura të tjera.

Gazetari: Zoti Nano ka shprehur preferencën e tij për një kryeministre grua, e shihni dhe ju veten në garë?

Arta Dade: Unë nuk e shikoj veten time në garë dhe nuk mendoj që dhe Nano e ka patur seriozisht këtë.

Luan Rama: Majkon nuk e shoh jashtë garës për të gjitha zhvillimet e mëtejme të PS-së, sepse Majko nuk është një anonim, por është një nga personat më kontribute dhe me role të spikatura në gjithë këtë histori të PS-së dhe i tillë do të mbetet me siguri dhe më tej.

Gazetari: Sipas mendimit tuaj cilët ministra duhet të trashëgojë kabineti Meta nga kabineti Majko?

Luan Rama: Këtë mund t’jua thosha nëse do të isha unë kandidati për Kryeministër, por përderisa unë nuk jam i tillë do të thotë që le t’ja lëmë Kryeministrit të vendosë se kë do heqë e kë do vëre. /tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame