Partia Socialiste në prag të anëtarësimit në Internacionale. Më 8 Nëntor në Paris në Kongresin e Internacionales socialistët do të shënojnë një hap të madh në historinë e tyre 9 vjeçare duke larguar paragjykimet e trashëgura nga e kaluara apo etiketimet e veshura nga aleatët e tyre në koalicion. Në delegacionin socialist do të jenë Kryetari Nano, sekretarja ndërkombëtare Dade e cila sot ka propozuar që të përfshihet në këtë delegacion edhe ish Kryeministri Majko.

Arta Dade: Tani për tani është vendosur që delegacioni të kryesohet nga Kryetari i PS zoti Nano, nga sekretari ndërkombëtar zonja Dade dhe mendojmë që të ketë edhe shokë të tjerë personalisht kam shprehur mendimin që duhet të jetë patjetër anëtar i delegacionit zoti Majko, i cili veçanërisht vitin e fundit duke qënë edhe në funksionin e sekretarit të përgjithshëm por edhe të Kryeministrit ka dhënë një kontribut të çmuar për të prezantuar me dinjitet vlerat e PS në pushtet por njëherazi ai është takuar në mjaft raste edhe me personalitete të spikatura të Internacionales Socialiste dhe do të veçoja këtu mbledhjen e këshillit internacionales në Buenos Aires në Qershor të ’99, ku zoti Majko megjithëse përfaqësonte një parti që nuk ishte anëtare e Internacionales Socialiste, ju dha e drejta që t’i drejtohej Internacionales. Fjala e tij u prit me simpati të veçantë dhe kjo përbënte edhe një hap më përpara drejt pranisë. Pra ne në këtë mbledhje të Buenos Airesit u ndjemë anëtarë me të drejta të plota në këtë Internacionale, sepse nuk ka rëndësi formaliteti, nuk ka rëndësi formalizmi, e rëndësishme është që ne kemi qënë prezent dhe me kompetencë kemi thënë opinionin tonë jo vetëm për çeshtje që kanë të bëjnë me zgjidhjen e krizave të njëpasnjëshme në Shqipëri por me çeshtje madhore që kanë të bëjnë me të ardhmen e Ballkanit dhe pse jo edhe të integrimit europian dhe të Europës në përgjithësi. /tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame