Në këto zgjedhje, duket se partitë e reja kanë fituar pak më shumë ‘terren’ se sa në vitet e shkuara. Pikërisht për peshën e tyre dhe shanset që kanë për të marrë ndonjë karrige në Parlament, u diskutua mbrëmjen e sotme në “Opinion” në Tv Klan. Artan Hoxha, Mark Marku dhe Marsela Karapanxho ranë dakord në një pikë: Partitë e reja do të “kafshojnë” më shumë djathtas!

Analisti Artan Hoxha sheh më të favorizuar Partinë Mundësia dhe koalicionin Nisma Shqipëria Bëhet. Këto të fundit sipas tij, mund të marrin nga një mandat deputeti në Tiranë.

Ka pikëpyetje për këto parti. Nuk janë të neglizhueshme dhe nuk janë më partitë e 1%-it. Sot për sot, i shoh prezente nga energjia që rrezatojnë në komunikim publik. E dyta, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara jemi në një situatë ku kemi pasur një PD të masakruar, është tokë e shkrifët nga ku mund të mbjellin farë lloj-lloj filizash. Mundësia dhe Nisma Shqipëria Bëhet të paktën 1 do e fusin në Parlament, mos më shumë. Bashën s’e shoh kurrkund. Qori është në kufi me Tiranën, PSD është lokaliste. Në Shkodër e ka të sigurtë një. Nisma dhe Shqipëria Bëhet janë prezente në të gjithë Shqipërinë, kanë mundësi t’i përkthejne votat në mandate”, argumentoi Hoxha.

Gazetarja Marsela Karapanxho kishte pak a shumë të njëjtën pikëpamje.

“Nisma Shqipëria Bëhet, e shoh të realizueshëm një mandat. Mundësia edhe sipas sondazheve ka dalë me 6 ose 7%, mund ta finalizojë një mandat. Lëvizja Bashkë njësoj si zoti Basha…PSD në Tiranë nuk di të them nëse ka lokalizim të forcave apo do i çojnë rezervat në Shkodër.”

Ndërsa analisti Mark Marku veçoi Mundësinë e Agron Shehajt si forcën që mund të rrëmbejë më shumë vota.  

“Më të mundshëm për të marrë vota, është Mundësia e Agron Shehajt. Të katra, përjashto Qorin dhe PSD-në marrin djathtas. Në momentin që nuk krijojnë një trend në rritje progresiv të madh, rrezikojnë të zhduken fare. Fushata i zbeh…Kanë edhe një problem partitë e vogla, duke qenë se nuk kanë përfaqësues në komisione, rreziku për t’ua ndarë votat është i madh. Me një shkelje syri ua marrin partitë e mëdha”, u shpreh ai.

Ajo që është interesante është se ka gjasa që strategjia e socialistëve të jetë ajo e tipit “përça dhe sundo”. Pra, krijohet një konkurrencë e brendshme mes të djathtëve dhe në këtë mënyrë rritet probaliteti që PS të dominojë sërish në numrin e mandateve.

Megjithatë, ekzistenca e këtyre partive të reja, në optikën e Markut bën që vota e të djathtëve të mos humbasë.

/tvklan.al