Përfaqësues të 43 partive të vogla i kanë dorëzuar Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta një sërë ndryshimesh në kodin zgjedhor. Propozimet e paraqitura në formën e një drafti synojnë votimin e numërimin elektronik, listat e hapura si dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Në një konferencë për shtyp, kryetarë të këtyre forcave politike thanë se kishin marrë edhe mbështetjen e kryetarit të Kuvendit për propozimet e bëra.

Në paketën e ndryshimeve partitë e vogla kërkojnë komisione zgjedhore të depolitizuara, administrim të procesit zgjedhor nga një trupë gjyqtarësh, votim për emigrantët, barazim në pasqyrimin mediatik, si dhe financim të barabartë për të gjitha partitë. Ata kërkojnë që këto propozime të miratohen brenda këtij sesioni parlamentar. /TV KLAN