Pas LDK-së, edhe brenda PDK-së shtohen zërat për reformim të strukturave

Rezultati i zgjedhjeve të 14 Shkurtit ka krijuar përplasje brenda partive politike që dolën me rezultat të dobët.

Tronditjen e parë e mori LDK-ja që pësoi humbjen më të madhe në historinë e saj, kryetari dhe kryesia e së cilës dhanë dorëheqje.


“Nuk kemi arsye që tani të merremi me degë,” u shpreh kryetari në dorëheqje i LDK-së, Isa Mustafa

Ndryshe nga LDK -ja ku kryetarët e degëve të saj vazhdojnë të mbesin në detyrë, në degët e PDK-së kanë filluar kërkesat për dorëheqje të strukturave të larta.

Ramiz Lladrovci përmes një letre të hapur kërkon largimin e përgjegjësve, sipas tij të këtij rezultati të dobët.

“Dorëheqje e secilit kryetar të degës ku PDK ka pësuar humbje të elektoratit apo dobësim të ndjeshëm. Lirim nga detyra e secilit drejtues të PDK-së nga Kryesia që në opinion ka pasur dhe ka hipoteka për pandershmëri, vepra penale apo akuza.”

Përplasje ka edhe në partitë e pakicave.


Duda Balje, që kandidoi me partinë e saj të sapoformuar SDU, dhe deputetja nga legjislatura e fundit Emilia Rexhepi, ka ngritur shqetësimin se deputetët e minoritetit boshnjak janë përcaktuar me votat serbe dhe me ndikim direkt nga Beogradi.

Sipas tyre dy nga tre deputetët boshnjakë janë përcaktuar nga presidenti serb Vuçiq, duke u bazuar në faktin se ata dy deputetë kanë marrë vota në vendbanimet me pakicë serbe.

Kandidatja serbe për deputete nga Iniciativa Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Rada Trajkoviq, ka hedhur akuza të rënda në adresë të AAK-së.

“Informacioni që po marrim në terren nga disa komunitete të pakicave tregon se Lista Serbe, në koordinim me aktivistët e AAK-së, së Haradinajt, po bashkëpunojnë në mënyrë që të sigurojnë 16 deputetë besnikë të pakicave, të cilët do të bëjnë presion për të zgjedhur presidentin e Kosovës”, ka shkruar ajo në llogarinë personale në Twitter.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i AAK-së, e cila ka hedhur poshtë akuzat e Trajkoviqit ndërsa kanë sqaruar se nuk do të mbajnë qëndrim bllokues në procesin e konstituimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 14 Shkurtit.

Klan News