Pas vendimit të presidentit Gjorge Ivanov se do t’i ndajë mandatin asaj partie e cila do të arrijë të sigurojë shumicën parlamentare, paritë maqedonase VMRO DPMNE dhe LSDM nuk kanë dhënë hollësi se për nismat për mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve.

VMRO DMNE e Nikolla Gruevskit, që nuk ka arritur të formojë qeverinë, nuk ka dhënë asnjë informacion.

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë shkurt tha se po bëhen konsultime pa saktësuar asgjë.

“Nuk ka nevojë të shqetësohen qytetarët, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë do të punojnë në gjetjen e një zgjidhje që do të sjellë deri në formimin e një qeverie të re, shpejtë dhe në mënyrë efikase”, ka deklaruar për mediat zëdhënësi i LSDM-së Petre Shilegov.

Ai tha se me kushtet e vendosura, presidenti i shtetit Gjorge Ivanov ka shkelur Kushtetutën dhe për këtë do të duhet të mbajë përgjegjësi .

“Ivanov nuk ka të drejtë të diskriminojë politikisht. Ai ia dha mandatin Nikolla Gruevskit pa i kërkuar nënshkrime nga 61 deputetë dhe pa kushte për programin. Kjo nënkupton se nuk ka të drejtë të kërkojë një gjë të tillë nga Zaev. Kjo është shkelje e patolerueshme e Kushtetutës nga Ivanovi” ka theksuar Shilegov.

Bashkimi Demokratik për Integrim, që ka numrin më të madh të deputetëve shqiptarë thotë se deri më tani asnjëra nga dy partitë maqedonase nuk i ka kontaktuar, megjithëse për këtë parti thotë Rafiz Haliti zyrtar i lartë i BDI-së mbetet e rëndësishme platforma shqiptare. Sipas tij cilado nga dy partitë maqedonase që do të jetë e gatshme të pranojë pikat e platformës së partive shqiptare BDI-ja do t`ia deponojë nënshkrimet.

“Ne si BDI presim që njëra nga partitë maqedonase të kërkojë votat e deputetëve të partisë sonë për të siguruar mandatin për formimin e qeverisë së re, por që të arrihet një marrëveshje për formimin e qeverisë së Maqedonisë mendoj se jemi shumë të qartë në këtë drejtim. Pra ajo parti e cila do të marrë iniciativën për të siguruar shumicën parlamentare gjithsesi se duhet ta ketë të qartë se nuk do të mund të marrë mbështetjen pa përkrahur pikat të cilat janë të pa negociueshme siç është zyrtarizimi i gjuhës shqipe, vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale dhe procesi i integrimit euroatlantik të Maqedonisë ” ka thënë për Radion Evropa e Lirë Rafiz Haliti zyrtar i lartë I Bashkimit Demokratik për Integrim.

Sipas tij presidenti Ivanov në mënyrë ‘joserioze e ka interpretuar kushtetutën përderisa njëherë i ka ndarë Gruevskit mandatin për formimin e qeverisë pa deponuar nënshkrimin e deputetëve të nevojshëm për shumicën parlamentare dhe tani këtë e ka imponuar si kusht’.

Dy partitë e tjera shqiptare janë shprehur më të sakta se janë të gatshme të mbështesin nismën që mund të ndërmerr lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, partia e të cilit doli e dyta në zgjedhje me 49 mandate të fituara, dy mandate më pak se VMRO DPMNE.

“Ne do ta mbështesim iniciativën e zotit Zaev për grumbullimin e 61 nënshkrimeve të deputetëve aq sa nevojiten që të marrë mandatin nga presidenti Ivanov dhe besoj se këtë do ta bëjmë gjatë ditëve në vijim. Por për format e bashkëpunimit të mëtejmë të partisë sonë me LSDM-në e Zoran Zaevit i bie një herë të presim se çka do të sjellin ato bisedime dhe atëherë do të vendosim se do të mbështesim apo jo formimin e qeverisë së Zavit konform asaj se sa ai do të jetë i gatshëm të implementojë platformën e partive shqiptare”, ka thënë për Radion Evropa e lirë Zeqiria Ibrahimi nënkryetar i Lëvizjes Besa.

Edhe Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare ka thënë se do të mbështesë iniciativën e Zoran Zaevit për të marrë mandatin, përderisa për t’i dhënë mbështetje qeverisë së tij do të vendoset pasi të jenë shtruar në detaje kërkesat e shqiptarëve dhe realizimi i tyre .

“Mendoj se me Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë ka hapësirë për të biseduar. Nëse kjo parti ndërmerr iniciativë për grumbullimin e nënshkrimeve ne do ta përkrahim për të marrë mandatin zoti Zaev dhe më pas do të hyjmë në bisedime për mbështetjen e qeverisë pasi të kemi konkretizuar punët që janë pjesë e platformës së partive politike shqiptare”, thotë për Radion Evropa e Lirë Arben Taravari Sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes për Refoma në Partinë Demokratike Shqiptare.

Ndryshe pas dështimit të kryetarit të VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevskit për të formuar qeverinë së bashku me Bashkimin Demokratik për Integrim, gjatë të mërkurës presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov pas konsultimit me krerët e partive politike parlamentare bëri të ditur se ai lider apo subjekt që do t’i mbledhë 61 nënshkrime, atij do t’i jep mandat për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë.

Ivanov veç shumicës parlamentare ka kërkuar që kjo shumicë njëherësh të garantojë integritetin e Maqedonisë./tvklan.al

Burimi: REL