Sela: Me hapjen e kushtetutës, të eliminohet edhe 20%

Rreth një orë iu desh kryetarit të Aleancës për Shqiptarët që të bindet se propozimi francez duhet të pranohet.

“Kuptohet se ne këtë propozim do ta marrim me seriozitet dhe kuptohet që qëndrimi i Aleancës për Shqiptarët do të jetë “pro” integrimeve, “pro” kompromiseve të nevojshme që duhet bërë në mënyrë që të vazhdojmë në këtë rrugëtim.”

E ndryshimet kushtetuese që parashihen në procedurën për anëtarësim në BE, Sela i sheh si mundësi të mirë që të eliminohet 20%. Tha se tani, bashkëqytetarët maqedonas e kuptojnë se si është që të kontestohet gjuha.

“Të kuptojnë se si ndjehen shqiptarët, kur trajtimi i gjuhës shqipe në Kushtetutë, nuk trajtohet as me një fusnotë: gjuhë shqipe dhe të ketë ndonjë fusnotë apo nuk e di çfarë, por nuk ka asnjë element që i thotë gjuhë shqipe. Përkundrazi, ju e dini se definicioni për gjuhën shqipe është; gjuha që e flasin mbi 20% e popullatës e që është e ndryshme nga gjuha maqedonase.”

E Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, sot vendosi që mos të prononcohet për media.

Për propozimin francez u prononcuan edhe nga Lëvizja Besa. Edhe ata kërkojnë që kur të hapet kushtetuta, duhet të eliminohet 20%.

Lëvizja Besa edhe njëherë konfirmon se do pranojmë çdo propozim që hap rrugën e integrimit në BE dhe që i njëjti nuk do cënonte interesat e shqiptarëve në vend.

Po ashtu pasi që propozimi francez në vete implikon ndryshime kushtetuese, ne për të dëshmuar konsistencën politike nga hapja e fundit e kushtetutës do kërkojmë që të korrigjojnë në kushtetutë terminologjinë “gjuha që flasin mbi 20% e popullatës” të zëvendësohet me termin “gjuha shqipe”.

Nga qeveria ende nuk e kanë bërë të qartë se kur propozimi do të dërgohet në Kuvend. E nga institucioni ligjdhënës, shkurt thanë se sapo ta pranojmë dokumentin, do të diskutohet për të.

Klan Macedonia