Partitë shqiptare vlerësojnë zgjedhjet në Kosovë

Partitë shqiptare vlerësojnë zgjedhjet në Kosovë

15:41 07/10/2019

Opozita: Frymë e re për shqiptarët

Krerët e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë zgjedhur rrjetet sociale për të bërë komentet e para për rezultatet e zgjedhjeve të djeshme në Kosovë.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti në një postim në Facebook ka shkruar se “qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe partitë e tyre politike demonstruan standarde europiane në mbarëvajtjen e zgjedhjeve, si gjatë fushatës ashtu edhe në ditën e votimeve, por edhe në pranimin e vullnetit të sovranit. Mbrëmë fitoi Kosova, ndërsa në pritje të rezultateve përfundimtare, uroj të gjithë fituesit e besimit të qytetarëve”, shkruan Ali Ahmeti.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, gjithashtu ka uruar qytetarët e Kosovës për mënyrën demokratike të mbarëvajtjes së zgjedhjeve, por ka uruar edhe liderin e Vetëvendosjes Albin Kurtin për fitoren në këto zgjedhje. 

Shqiptarët në Kosovë sot u përcaktuan për vlerën themelore të demokracisë, ndyshimin. Urime Vetëvendosje, urime Albin. Erdhi dita të mbash mbi supet e tua peshën e zhvillimit dhe progresit të Kosovës, të kthesh shpresën”, shkruan lideri i ASH-së në Facebook.

Edhe kryetari i lëvizjes ‘Besa’, Bilal Kasami ka përshëndetuar, siç thotë, vlerat evropiane në organizimin e zgjedhjeve. Por, mes tjerash Kasami paralajmëron një frymë të re ndër shqiptarët.

“Fitorja bindëse e forcave opozitare në Kosovë tregoi se po vjen një frymë e re ndër shqiptarët, e cila besoj të vazhdojë edhe me një fitore të tillë të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut në zgjedhjet e ardhshme”, ka shkruar kreu i ‘Besës’ Bilal Kasami në Facebook.

Kjo mund të jetë fitore “e vogël” e VV-së, por është fitore “e madhe” e shqiptarëve të Kosovës, ka qenë urimi i kreut të ‘Alternativës’, Afrim Gashit, duke shfaqur shpresën për konstituimin sa më shpejt të institucioneve të reja në Kosovë.

“Zgjedhjet e mbrëmshme në Kosovë e patën edhe një porosi tjetër, po ndërrohen gjeneratat dhe po vjen një kohë e re me shpresë për të rinjtë dhe për vatrat tona. Fryma e këtij ndryshimi do të reflektohet edhe matanë kufijve”, ka shkruar kreu i Alternativës Afrim Gashi në Facebook.  

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT