Kërkohet fitorja për moralin dhe renditjen

Me ankth, me dilema, me shumë pikëpyetje, por me një dëshirë të madhe për t’ia dalë me sukses. Kjo është situata që po përjetohet në klubin e Partizanit dhe Tiranës. Asnjëra nuk do të pajtohet me barazimin, të dyja duan fitoren. Patjetër 3-pikëshi, qoftë edhe me lojë jo të mirë.

“Unë do të thoja që është ndeshja e radhës, ka vlerën e 3 pikëve, përveç bonusit psikologjik.  Derbi është ndeshja më e rëndësishme e kampionatit. Sido që të jetë niveli ekipeve, derbet kanë qenë të paparashikueshme. Ky derb i gjen ekipet me një diferencë 3 pikë. Pothuajse janë aty-aty. Mendojmë në nivel paragjykimi, që nesër, padiskutim që ekipi do të jetë i motivuar, ashtu siç do të jetë dhe kundërshtari. Janë të 3 rezultatet në lojë, shpresojmë që fitorja të jetë e jona”, tha Daja.

Trajneri i Tiranës Nevil Dede është i rezervuar në deklarata. Heziton të komentojë rezultatin dhe më shumë i mëshon ndjesisë që kërkon të marrë nga kjo ndeshje.

“Ndjesia ime është që unë dua ta shijoj këtë ndeshje. Edhe unë kështu shkoj te ky derbi bashkë me çunat dhe klubin që na mbështet. Nuk ia vlen që unë të komentoj rezultatin. Duam ta shijojmë derbin dhe ta fitojmë atë. Ky është kampionat, ka antagonizëm brenda dhe çdo gjë mund të ndodhë”, tha Dede.

Partizani dhe Tirana vijnë në këtë ndeshje pas dy barazimeve në dy përballjet e fundit, por thuajse një vit më parë. Të kuqtë humbën 5-1 rezultat që nuk do të shlyhet lehtë nga kujtesat e atyre që ishin të pranishëm në stadium.

Sfida e së enjtes do të jetë jo vetëm për moralin e skuadrave por edhe për pikët në renditje. Skuadrat duan suksesin në këtë ndeshje, por objektivi kryesor është derbi nuk duhet humbur.

Tv Klan