Bylisi merr barazimin në fund të ndeshjes

“Air Albania” po i sjell ters Partizanit. Të kuqve iu iku fitorja nga duart. Skuadra e Sormanit realizoi dy gola shumë të shpejtë. Në minutën e 4’ shënoi Cordero. Në fakt portieri Isli Hidi u shpejtua duke dashur të riniste lojën menjëherë, por topi i tij u kap nga lojtarët e Partizanit që nuk falën.

Në minutën e 18’ ishte Cinari që dyfishoi. Pjesa e parë përfundoi 2-1 pasi për Bylisin shkurtoi diferencën Ntephe. 

Loja ishte shumë e luftuar më së shumti nga futbollistët e Bylisit që kërkuan dhe arritën barazimin me Guindo në fundin e takimit. Partizani shkon kokëulur në derbi me Tiranën, ndërsa Bylisi merr 1 pikë që e mban me shpresa për të arritur zonën europiane.

Pas dy humbjeve radhazi, Laçi fitoi 3-1 me Flamurtarin në ndeshjen e zhvilluar në Vlorë. Kurbinasit afrohen me zonën europiane të renditjes. Një gol nga Nva-bueze dhe dy nga Xhixha, i dhanë suksesin laçianëve. Për Flamurtarin shënoi Ribaj.

Edhe Vllaznia nuk e pati të vështirë në “Loro Boriçi” ndaj Luftëtarit. Shkodranët fituan 4-0. Skënderbeu ishte me fat përballë Teutës. Korçarët fituan 3-2, por durrsakët humbën një penallti në minutën e 90’.

Tv Klan