Colella: Duhet përmirësim në sulm, fitoret minimale të shpallin edhe kampion

Kastrioti është pengesa në javën e tetë të Superligës për Partizanin. Të kuqtë vijnë më të motivuar se kurrë në këtë sfidë, pas fitores e rrjedhimisht marrjes së kreut në Shkodër dhe kalimit në raundin tjetër të Kupës së Shqipërisë. Ecuri që ka rritur euforinë te kryeqytetasit, me teknikun Xhovani Kolela që shpreson edhe fitore minimale në fushë dhe në fund për të siguruar titullin.  

“Kam parë skuadra që kanë fituar kampionate jo më shumë se 1-0. Ato që fitojnë me rezultate 3-0 apo 4-0 nuk arrijnë që të shkojnë deri në fund. Jam dakord me statistikat. Duhet të përmirësohemi në disa aspekte, mund të rritemi edhe më shumë.”

Pavarësisht kundërshtarit, Kolela pranon se bën një punë të mirë në motivimin e skuadrës.

“Me gjithë respektin për Kastriotin që është një skuadër mjaft e organizuar. Këto ndeshje janë më të vështira të trajnerit duke parë se është ndryshe kur përballesh me Tiranën në derbi dhe motivimi është shumë i madh në krahasim me ekipe të tjera, duhet të bësh shumë kujdes për të bërë lojë dhe për të marrë tre pikët”.

Në katër duelet e sezonit të shkuar, Partizani fitoi 2, Kastrioti 1 dhe sfida tjetër përfundoi në barazim pa gola.

Klan News