Trajneri i kuqebluve Brdaric tha se skuadra është gati për një tjetër sukses ndaj “të kuqve”

Trajneri i Vllaznisë Thomas Brdaric shprehet se e gjithë vëmendja e ekipit është për takimin kundër Partizanit, ku synimi është fitorja.

Ai e pranon se rrezikoi duke hedhur në fushë shumë lojtarë të rinj në Kupë ndaj Labërisë, por nuk shqetësohet sepse humbjen do ta rikuperojë në takimin e kthimit.

Skuadrat do të përballen në javën e tretë të kampionatit në stadiumin “Elbasan Arena” në orën 19:45.

Kemi një javë që përgatitemi për të fituar besimin. Ne jemi psikologjikisht dhe fizikisht të aftë që të përballemi ndaj Partizanit. Mendoj se skuadra është stabilizuar dhe shikoj më shumë avantazhe në krahun tonë”.

E dimë që Partizani do të jetë shumë i motivuar për të luajtur ndaj nesh, por ne jemi një ekip i fortë. Do të jetë një ndeshje me shumë rivalitet. 

Ne do të bëjmë maksimumin tonë dhe duam t’i futim në presion me mënyrën tonë të lojës dhe shpresoj që të marrim një rezultat pozitiv”.

Edhe trajneri i Partizanit, Ilir Daja në konferencën për shtyp u shpreh se është momenti që ndaj kuqebluve ekipi t’u rikthehet fitoreve.

Ai e shikon si një përballje mjaft të vështirë e të tria rezultatet janë të mundshme, por “të kuqtë” janë të detyruar që të bëjnë gjithçka që të arrijnë fitoren.

Sipas Dajës, fitorja ndaj Vllaznisë do t’i shërbente shumë ekipit edhe në aspektin psikologjik.

Klan News