Klubi zyrtarizon vendimin për trajnerin italian

Adolfo Sormani është në rrugën e tij drejt largimit nga Shqipëria, pasi klubi Partizani dha njoftimin zyrtar se ka marrë vendimin për shkarkimin e tij. Trajneri italian firmosi largimin e tij me mungesën në pankinë në derbin kundër Tiranës. Por marrëdhëniet mes palëve ishin prishur më herët. Me gjasë, kërkesa e trajnerit për të mos qenë i pranishëm në derbi ka qenë si shenjë lamtumire nga ana e tij.

Veç Sormanit janë shkarkuar edhe ndihmësit e tij. Për ndeshjet e mbetura skuadra do të drejtohet nga Reinaldo Kalari, ashtu sikurse në derbi.

Por emri i Ilir Dajës ka qarkulluar si trajneri i ardhshëm i të kuqve. Thuhet madje se bisedimet e klubin me teknikun e Skënderbeut kanë nisur prej ditësh. Burime të Televizionit Klan tregojnë se firma në letër pritet të hidhet menjëherë pas përfundimit të këtij sezoni. Ka qenë këmbëngulja e Dajës që të respektojë kontratën me Skënderbeun deri në fund dhe më pas të ulet zyrtarisht në bisedime me Partizanin.

Adolfo Sormani mori drejtimin e Partizanit pas Franco Lerda, i cili u largua pas humbjen në derbin e Dhjetorit të shkuar. Dëmi i bërë skuadrës rezultoi i pariparueshëm. Italiani tjetër Sormani, i cili kish qenë edhe një herë më parë në krye të Partizanit nuk arriti të riparonte, madje dukej se skuadra po ulte ritmin e lojës që solli edhe largimin nga objektivat.

Këtë sezon Partizani është jashtë garës për Kupës e Shqipërisë dhe nuk mbron dot titullin. Të kuqtë shpresojnë në pjesëmarrjen në Europë, por vendi i tretë është 6 pikë larg me 3 ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit.

Tv Klan