Partizani në volejboll për meshkuj fiton edhe ndeshjen e dytë me Skënderbeun, duke shkuar i sigurtë drejt titullit kampion.
Nëse ndeshjen e parë e ka fituar lehtësisht 3-0, ndeshja e dytë në Korçë në 4 setet e luajtura ka patur një tjetër pamje, rivalitet, emocione dhe ekipi fitues është përcaktuar në pikët e fundit. Për trajnerin e Partizanit Ylli Tomori edhe duke pasur dy fitore, për Partizanin nuk është mbyllur asgjë sepse loja e volejbollit njeh kthesa të shumta.
“Ne do të shkojmë për ta mbyllur atje, normal, se duam të mos kemi peripeci. Ne jemi përgatitur për të dalë kampion dhe natyrisht ndeshja e treta na shpall kampion, kështu që ne do të përpiqemi për ndeshjen e tretë, të japim maksimumin tonë dhe të shpallemi kampion”, tha trajneri Ylli Tomorri.
Samuel Vreshtulla pranon se Partizani është nga ekipet më të mira por shton se kjo ndeshje e dytë ka treguar se edhe Skënderbeu ka merituar me tepër se kaq
“Nuk ishte e njëjta me ndeshjen në Tiranë. Besoj se ishte çdo set i luftuar për çdo pikë dhe treguam më shumë nga vetja jonë sot. Ne luftuam dhe ishim atje-atje me Partizanin”, tha Samuel Vreshtulla, trajneri i Skënderbuet.
Ndeshja e tretë luhet në kryeqytet të djelen dhe Partizani me dy fitore është më pranë titullit. Skënderbeu i këtij sezoni ka qenë më shumë se surprizë, skuadër që pas Partizanit ka qenë i dyti që i ka dhënë tjetër rivalitet kampionatit.
Klan News