Franco Lerda e hodhi firmën për t’u bërë trajner i Partizanit, por italiani pranoi se nuk e njeh klubin, nuk njeh lojtarët dhe nuk njeh as realitetin e futbollit shqiptar. 51-vjeçari ka marrë vendimin pas takimit që ka patur disa ditë më parë me Presidentin e klubit Gazmend Demi dhe drejtorin e përgjithshëm, Olsi Rama. Tek ky i fundit duket se, të paktën për momentin, beson verbërisht.

“Pranova sipas projektit ambicioz që më tregoi Olsi dhe Presidenti Demi. Edhe unë jam ambicioz dhe dua të çimentohem në një realitet si ky i futbollit shqiptar. Sa për lojtarët kam besim tek Olsi dhe tek lojtarët që do të më sjellë. Unë nuk kam kërkuar ndonjë futbollist specifik. Di që do të vijnë disa lojtarë.”

Megjithëse ende pa parë skuadrën në fushën e stërvitjes. Franco Lerda shfaqet entuziast.

“Objektivi i parë është të bëjmë maksimumin me mundësitë që kemi për ndeshjen e parë. Jam entuziast dhe besimplotë. Sa i përket modulit, do ta përshtasim sipas lojtarëve që kemi.”

 Entuziazmi i trajnerit Franco Lerda i ka bërë përshtypje edhe drejtorit të përgjithshëm të Partizanit, Olsi Rama, i cili pranon se ishte informuar mirë për teknikun.

“Biseduam gjatë në telefon, kam pyetur për kapacitetin e tij dhe si e konsiderojnë, jam bindur nga dëshira dhe entuziazmi e konsiderata për Shqipërinë dhe dëshirën për të bërë diçka edhe më vonë.”

 Franco Lerda dhe ndihmësi i tij, Giaccomo Chini, kanë drejtuar bashkë që prej vitit 2010 skuadra si Torino, Lecce dhe Vicenza.

Tv Klan