Partizani nisi shkëputjen në vendin e parë të renditjes. Të kuqtë tashmë 9 pikë më shumë se vendi i dytë Kukësi që humbi me Skënderbeun, por kryeqytetasit fituan 3-0 në “Selman Stërmasi” ndaj Teutës duke bërë hapin e rëndësishëm drejt titullit.

Ishte Bruno Telushi që shënoi golin e parë që në minutën e 4. Në të 32′, Asani rrëmben një top në gjysmëfushën e vet dhe në zonën e Teutës fitoi një 11-metërsh pas një ndërhyrjeje të mbrojtësve durrsakë. Ardit Hila është autor i golit nga pika e penalltisë.

Fundi i takimit i ka parë mbrojtësit e Teutës të lodhur, por jo sulmuesit e Partizanit që në një kundërsulm të shpejtë shënuan golin e tretë me autor Cinarin.

Kastrioti mposhti Tiranën 1-0, duke treguar se nuk do të dorëzohet deri në fund në luftën për mbijetesë. Goli për krutanët erdhi si një penallti e ekzekutuar nga Marku. Një moment i kontestuar nga futbollistët bardheblu. Tirana nuk mundi ta gjente rrugën e barazimit e ndikuar kjo edhe nga terreni i vështirë i fushës në stadiumin e Fushë – Krujës.

Trajneri Ardian Mema bëri një ndërrim të detyruar, pasi sulmuesi Ngoo rrezikonte katronin e kuq. Ai u shfaq i tensionuar me lojtarët e skuadrës vendase. Fundi i takimit u shoqërua gjithashtu me një situatë të pakëndshme, teksa trajneri i Tiranës ka protestuar tek arbitrat për penalltinë e dhënë në favor të krutanëve, ndërsa jashtë fushe forcat e policisë kanë shmangur përplasje fizike mes lojtarëve të të dy ekipeve.

Kastrioti ngjitet në kuotën e 24 pikëve, 4 më pak se Luftëtari dhe 5 më pak se Tirana, skuadra me të cilat do të garojë për mbijetesën.

Në barazim pa gola përfundoi edhe sfida tjetër e ditës së sotme në Superiore, ajo mes Laçit dhe Flamurtarit. Starova debuton kështu me barazim, ndërsa asnjë prej skuadrave nuk bëri mjaftueshëm për të fituar këtë takim.

Tv Klan