Partizani do të presë Egnatian të Mërkurën, në ndeshjen e kthimit në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Të kuqtë fituan minimalisht ndeshjen e parë dhe me një barazim do të kualifikoheshin për në finale, e cila mungon prej shumë vitesh.
Në konferencën për shtyp, trajneri i Partizanit, Skënder Gega e cilësoi si një ndeshje shumë të rëndësishme, duke shtuar se ekipi i tij është gati për këtë sfidë.
“Fitorja 1-0 në ndeshjen e parë do të thotë që jemi në garë. Kemi arritur një rezultat 1-0, por si është një javë nuk është javën tjetër. Egnatia është një ekip i mirë, një ekip me kualitete dhe jemi të vetëdijshëm. Ne vijmë pas një ndeshje me një rezultat jo të mirë dhe gjithsesi nuk mund të punosh me entuziazëm. Jam munduar këto 2-3 ditë të korrigjojmë, analizojmë dhe përmirësojmë gabimet që kemi bërë.
Unë mendoj se për një klub si Partizani çdo ndeshje duhet të ishte finale kupe. E vetmja mënyrë është t’i marrësh ndeshjet një nga një, por tani është fundi dhe nuk ka asnjë lloj shansi apo hapësire. Unë besoj se kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme.
Luhet për Europën, për imazhin e klubit, për interesat çdo gjë është bashkë. Është një garë për t’u vlerësuar. Në futboll çdo gjë sot është bërë ekonomi tregu dhe çdo klub pa pikësynimet e veta. Nesër do japim maksimumin dhe kjo është shumë e rëndësishme. Jemi gati për çdo lloj situate”, deklaroi Gega.
Referuar formës së kundërshtarit, Gega tha se nuk mund të gjykojë, pasi rrogozhinasit kanë synimet e veta.
“Unë nuk mund të flas për Egnatian. Egnatia duhet të luajë ashtu siç luajti herën tjetër. Nuk mund as t’i gjykosh dhe as t’i kërkosh diçka apo të presësh diçka nga Egnatia. Egnatia ka pikësynimet e veta. Ndryshe mund të luaj me Elbasanin, ndryshe me Partizanin është problemi tyre. Mendoj të fokusohemi te vetja jonë si do të përballemi . Egnatia ka filozofinë e vet, kanë pikësynimet e veta , interesat e veta në kuptimin e aktivizimit të lojtarëve. Deri sa ata kanë ardhur deri në gjysmëfinale kërkojnë të marrin maksimumin dhe ne jemi gati për këtë gjë”, u shpreh trajneri i Partizanit.
Ndeshja Partizani-Egnatia në kryeqytet, do të luhet të Mërkurën, duke nisur nga ora 19:00. /tvklan.al