Partizani nuk do të jetë i qetë deri sa të sigurojë matematikisht titullin. Për të arritur trofeun e dëshiruar prej 25 vitesh, jo vetëm do të përpiqen të marrin maksimumin e mundshëm në çdo takim por nga ana tjetër, të kuqtë janë me sytë nga qielli, me shpresën që rivalët të gabojnë.

“Janë sfida të rëndësishme këto me Teutën e Kukësin. Gjithsesi janë edhe 11 ndeshje. Nuk mund të themi se vendosen tani përqindjet. Do mundohemi t’i marrim maksimumin dhe të mundohemi të gabojmë sa më pak. Shpresoj që rivalët të gabojnë. Është rrugë e gjatë deri në fund”, tha trajneri Gega.

Partizani do të përballet të dielën me Teutën, një rival direkt për titullin.

Sfidë delikate do të jetë ajo mes Laçit dhe Flamurtarit. Vlonjatët nuk do ta kenë të lehtë në fushë kundërshtare.

Tirana do të luajë kundër Kastriotit në Fushë-Krujë.

“Është takim delikat, një ndeshje që nëse e fitojmë na ngjit edhe më shumë në renditje. U kam thënë djemve që na pret ndeshje shumë e vështirë, aq më tepër që do të zhvillohet në Fushë-Krujë. Nuk më bezdis ky fakt, por fusha. Nuk është në gjendje të mirë, por është e barabartë për të dyja ekipet. Duhet t’i bëjmë hyzmetin dhe aty ku kushtet nuk janë të mira.”, tha trajneri i bardhebluve, Ardian Mema. 

Luftëtari është skuadra që këtë javë do ta bëjë pushim, pasi do të luante kundër Kamzës tashmë të dënuar.

Tv Klan