Daja: Nuk do ta kemi të lehtë në Conference League

Shorti vuri një skuadër modeste përballë Partizanit. Moldavët e Sfintul George do të presin të kuqtë më 8 Korrik në turin e parë eliminator të Conference League. Pavarësisht se rivali nuk ka shumë eksperiencë në kupat e Europës, trajneri Ilir Daja respekton ekipin kundërshtar dhe nuk do të ketë asnjë nënvlerësim.

“Është një kundërshtar që vitin e kaluar ka kaluar një tur në Kupat e Europës, ndërsa është eliminuar në kohën shtesë me Partizanin e Beogradit. Kanë qenë përballje me 1 takim. Nuk është një ekip i lehtë, pavarësisht se koeficientin e ka të ulët. Është formuar në vitin 2003, pra ka pak vite në traditën e futbollit moldav. Prezantimi që ka bërë vjet, ka qenë pozitiv”, tha ai.

Partizani ka udhëtuar në Ohër për fazën përgatitore, në pritje të përforcimeve për sezonin e ri. Daja shpreson që afrimet të vijnë shpejt.

Presim të plotësohemi aty ku kemi nevojë, sepse disa lojtarë janë larguar. Jemi në bisedime me disa futbollistë për të plotësuar hapësira, në mënyrë që përgatitja për ndeshjen e parë në transfertë në Moldavi, të na gjejë sa më mirë që të jetë e mundur”, tha Daja.

Të kuqtë kërkojnë patjetër kalimin e turit, jo vetëm për anën sportive, por edhe atë financiare, çka do të shtonte në arkat e klubit të paktën 550 mijë Euro.

Tv Klan