Zonja X e plotësoi kushtin e bashkëshortit për t’u kthyer nga Franca së bashku me fëmijët me shpresën se mund të ndryshonte diçka, por gjërat nisën nga fillimi.

Sërish në shtëpi me qira, zonja nisi një punë në një fabrikë këpucësh, ndërsa bashkëshorti u shkëput prej punës pak kohë pasi e kishte nisur atë dhe kishte filluar të pinte.

Pas disa muajsh, u detyrua edhe ajo të linte punën sepse lindi fëmija i katërt. Borxhet e shumta i bënë të shpërnguleshin në shtëpinë e prindërve të saj, por te burri nuk ndryshoi asgjë.

Ai shkoi tek të afërmit në Tropojë dhe nuk e pranoi kërkesën e gruas që kur të kthehej të jetonin sërish bashkë, por i tha se ajo dhe fëmijët duhet të jetonin kudo që do ishte edhe ai, qoftë edhe nën qiell të hapur.

Zonja X nuk e pranoi këtë dhe që prej Shtatorit janë të ndarë, ajo vazhdon të qëndrojë te prindërit e saj. Edhe tani që janë të ndarë, sa herë vjen, ai ushtron dhunë verbale e fizike ndaj saj. Dy djemtë e mëdhenj po qëndrojnë me të atin përkohësisht.

Ajo kërkon të bëjë divorcin dhe të fitojë kujdestarinë e plotë të fëmijëve për t’u kthyer sërish në Francë pasi nuk sheh asnjë të ardhme me të, as këtu. Burri e kundërshton për kujdestarinë pasi thotë se fëmijët do të qëndrojnë me të, por nuk ka asnjë kusht ekonomik për t’i mbajtur ata sepse nuk punon dhe nuk i jep asnjë kontribut.

Një martesë që nisi me dashuri, por tashmë nuk ka mbetur më asgjë. Zonja shprehet se nuk do më të ketë asgjë me të pasi dhuna, sharjet dhe problemet ekonomike kanë arritur kufirin. E vetmja gjë që ajo dëshiron dhe është e bindur për ta marrë, është divorci.

Mirela Milori: Ka mbetur gjë nga dashuria jote për të?

Zonja X: Tani s’e dua më fare, s’kam më ndjenja për të.

Mirela Milori: Nuk e do më fare?

Zonja X: Jo, ngaqë më shan e më ka rrahur.

Mirela Milori: Po a të vjen keq?

Zonja X: Keq më vjen t’i ndaj fëmijët, por as ashtu nuk kalohet jeta.

Mirela Milori: Mendon që mund të rikthehet, ka vend që të punohet e flitet po të keni ekonomi të mirë?

Zonja X: Ai më thotë “unë nuk ndryshoj, po këtë zanat kam”.

Mirela Milori: Si?

Zonja X: “Nuk ndryshoj, po këtë avaz kam”, thotë.

Mirela Milori: Po ai çfarë thotë, të do?

Zonja X: Ai thotë “të dua, s’bëj më”, por po njësoj. Para një jave më shau e gjuajti në parkun e lojërave.

Mirela Milori: Po person të tretë a ka në mes? Ka ndonjë femër tjetër apo nuk beson?

Zonja X: S’e di, nuk e kam parë.

Mirela Milori: Ti a je xheloze që po të ndahet nga ti, të ketë dikë tjetër?

Zonja X: Jo, jo fare.

Mirela Milori: Ka mbaruar. Seriozisht nuk e do më? Kur kujton atë njeriun që ke dashur dikur dhe ky, a gjen të përbashkëta?

Zonja X: Në fillim, gjithmonë i mohoja njerëzit e mi për të. Zihesha me të, shkoja te mami me çdo gjë kisha, por sa të vinte ai i shkoja pas se e doja. Ziheshim, pajtoheshim, por jeta ashtu nuk shtyhet.

Mirela Milori: Ti je nënë me 4 fëmijë, ai është babai i katër fëmijëve të tu dhe çdo nënë kur vjen puna për të ndarë babain e fëmijës mendohet mirë se është fëmija në mes. Çfarë ka mbaruar që ti thua jo?

Zonja X: Nuk e dua më se vetëm më shan. Kur i thua gruas lloj lloj fjalësh, për çfarë e mban, për çfarë e do?

Mirela Milori: Të thyen, të bën të ndihesh keq. Po këtë periudhë që jeni ndarë, a i sheh fëmijët nga ana ekonomike?

Zonja X: Jo, jo asgjë.

Mirela Milori: Nuk iu blen gjë, nuk të jep para për ta?

Zonja X: Jo, ndonjëherë rrallë. Para dy javësh, i dha 2000 lekë. Ai është papunë.

Mirela Milori: Ti je e bindur që duhet të bësh një divorc ligjor edhe nëse lutet apo kthehet?

Zonja X: Po, unë dua të marr fëmijët e të shoh jetën time me ta.

/tvklan.al