Entela dhe Erjoni rrëfyen historinë e tyre të bukur të dashurisë në emisionin “Historia Ime” në Tv Klan. Por pas martesës, ishte momenti për të krijuar familje.

Nga martesa e tyre nuk patën fëmijë, por kjo nuk do të thotë që çifti do të hiqte dorë. Pas 14 vitesh martesë ata vendosën të birësonin një fëmijë.

Nuk pranuan t’i nënshtroheshin fertilizimit alternative, por menduan se birësimi i një fëmijë ishte një mënyrë shumë e mirë për t’i falur dashuri një fëmije të braktisur.

Vajzën e birësuan 18 muajshe në Qershor 2018 dhe sot jeta e tyre ka ndryshuar tërësisht.

Mirela Milori: Pas martesës erdhi përpjekja për të sjellë një fëmijë në jetë. Çfarë ndodhi këtu tani? Këtu nis një tjetër histori e juaja.

Entela: Pas 3 viteve momenti…

Erjoni: Ne normalisht që filluam të mendonim për ta zgjeruar familjen tonë edhe tentuam që të kishim fëmijën tonë për disa vite. Pasi bëmë të gjitha ato procedurat që kishim mundësi të bënim duke shkuar dhe jashtë, kuptuam që ishte shumë e vështirë. Nuk mund të themi është e pamundur se nuk i dihet kurrë.

Entela: Ne akoma besojmë në mrekulli.

Erjoni: Është shumë e vështirë për anën njerëzore për ta zgjidhur këtë gjë, kështu që vendosëm të kontaktonim me Komitetin e Birësimit.

Entela: Unë ia kërkova bashkëshortit tim të ma bënte dhuratë për 30-vjetorin.

Mirela Milori: Pas 14 vitesh martesë?

Entela: Po, pas 14 vitesh fëmija erdhi në familje.

Mirela Milori: Por pas sa vitesh përpjekje martesë ju vendosët të birësonit?

Entela: Para 7 vitesh ne u interesuam çfarë dokumentesh kërkohen, sepse ka kritere. Nëse i plotësojmë ato ose jo. Ashtu siç fëmija biologjik vjen nga dashuria i dy individëve, edhe fëmija birësues duhet të vijë nga ngjizja e dy zemrave. Ne të dy kemi kontribut në këtë gjë. Dhe lutja ime përpara Zotit ishte: Unë nuk dua të birësoj një fëmijë nëse ai nuk buron nga të dyja zemrat tona. Dhe kur bashkëshorti im të jetë 100% gati ashtu si dhe unë, atëherë është momenti. Por ai guxoi. I plotësonim kriteret. Kishim një shtëpi tonën.

Mirela Milori: Por më parë nuk kishit parë fotografi fëmijësh?

Entela: Jo nuk lejohet.

Mirela Milori: Pra patë kriteret. Dhe çfarë ndodh?

Erjoni: Brenda meje ishte ajo beteja siç mund të ketë një mashkull. Unë doja t’i bëja qejfin, por akoma luftoja me veten time. Por ne na mori akoma disa vite që unë të merrja brenda meje këtë vendim që të isha i sigurtë. Kështu që priti ajo listë 6 vjet.

Entela: Por është sfidë, të birësosh një fëmijë në një komunitet të vogël. Ne akoma jemi duke thyer tabutë. Edhe është e vështirë, por thjesht unë mendova pse mos të restauroj një jetë. Jam duke u marrë me fëmijët në kopsht, të kem dhe një në shtëpi.

Erjoni: Në fakt ne pasi vendosëm që me të vërtetë t’i futeshim këtyre gjërave në 2018, ne mbyllim komplet dosjen dhe kemi qenë çifti i fundit për të aplikuar, sepse ata bëjnë një terapi në çift…

Entela: Ne aplikuam në Maj dhe në Shtator u mbyll me vendim nga komuniteti që ne jemi çift i përshtatshëm për të birësuar. Dhe që aty ne pastaj prisnim telefonatën. Por na thonin do 2 vjet, do 3 vjet, jeni të 60-ët në radhë. Kështu që ishim në pritje. Bëmë ato udhëtimet tona, ishim në Suedi në muajin Prill.

Erjoni: Kur kthehemi pas një jave nga Suedia, ata në fakt kishin tentuar të na merrnin në telefon por nuk mundeshin dot. Menjëherë sa futem në Shqipëri shikoj ato telefonatat e humbura dhe e marr direkt komitetin edhe thonë që shpejt hajeni nesër sepse keni një rast aq të mirë saqë në qoftë se ju nuk e merrni, do ta adoptojmë vetë ne. Edhe nuk po e besonim. Shkoj menjëherë

Entela: Domethënë, të enjten pamë dosjen e vajzës, të premten u mblodh komiteti, të hënën takuam vajzën. Për një fundjavë u bëmë prindër dhe akoma s’e kemi marrë veten që nga ajo fundjavë.

Erjoni: Është mrekulli, nuk kemi fjalë. Na pëlqeu shumë kur e pamë se ishte akoma e vogël, ishte shumë e bukur. Ishim vetëm ne të dy në dhomë edhe aty që ishte e përshtatshmja plotësisht që ne mund ta adoptonim atë.

Entela: Ti thjesht ndjek instiktin e zemrës…

Erjoni: Kur e pamë, thamë këtë vajzën do ta marrim se s’bën.  

/tvklan.al