Ish-presidenti dhe ish-lideri i Partisë së Punës, Ramiz Alia ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion”, nga ku foli për vendimin që mori 16 vite më parë, i cili ndryshoi fatin e Shqipërisë.

Më 11 Dhjetor 1990 Ramiz Alia u detyrua të firmoste shpalljen e pluralizmit politik në Shqipëri. Ky vendim i dha fund sundimit 46-vjeçar të Partisë Komuniste për shkak të kërkesave dhe protestës të studentëve.  

I pyetur nga drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu nëse mendon se ka marrë vendimin e duhur, Alia u shpreh: “Edhe në atë kohë, kur u vendos shpallja e pluralizmit politik, edhe sot mendoj se ka qenë një vendim i drejtë sepse ai nuk ishte vendim subjektiv, por ishin kërkesat e kohës ato që përcaktuan nevojën e shpalljes së saj.

Unë e kujtoj gjithmonë atë ngjarje, por dua të theksoj një gjë. Ajo ngjarje i hapi rrugën një shoqërie të re, demokracisë pluraliste. I dha fund shtetit njëpartiak dhe i hapi rrugën shoqërisë pluraliste. Rëndësi të veçantë ka fakti që ky kapërcim nga një sistem në tjetrin u bë pa gjak, u bë në mënyrë paqësore. Në atë kohë forcat e ndryshme politike që ekzistonin, kishin mundësinë që të shpërthenin një konflikt midis njerëzve të ndryshme, çka do të ishte shumë e rrezikshme për vendin tonë”.

Lëvizja Studentore i dha shtysën e fundit këtij problemi sepse në vitin ’90 çdo njeri e shikonte që situata po precipitonte. Ne u përpoqëm të bënim reforma që t’i përshtateshim situatës.

Nuk ka dyshim që tani mund të konkludojmë që ishim të vonuar sepse rezultati i tyre nuk ishte i mirë, por nuk duhet harruar që në vitin ‘90 te ne situata ishte e vështirë në çdo pikëpamje dhe kishim presionin politik nga jashtë”./tvklan.al