Fitnete Tuda dhe i biri Don Duli vijnë në festivalin “Kënga Magjike 2021”, por njëkohësisht artistja rikthehet edhe në skenë pas 18 vitesh. Ajo na tregon edhe përse zgjodhi të vinte në një duet me djalin.

Fitnete Tuda lindi në Strugë dhe u zhvendos në Kosovë ku jeton aktualisht. Ajo ka mbaruar studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës.

Pjesëmarrjet e saj në festivalin e RTSH në vitet 1995-1996-të shndërruan hite këngët “Rrugë” dhe “Shi bie në Tiranë”.

Në vitin 1999-të në edicionin e parë të “Kënga Magjike” ka marrë pjesë me këngën “Duke kërkuar jetë” dhe në vitin 2003 me këngën “Si muzika”, ku është vlerësuar me çmimin e produksionit.

Don Duli, 13 vjeç, është i biri i artistes Fitnete Tuda  dhe studion për piano në shkollën e muzikës.

Ardit Gjebrea: Pas 18 vitesh rikthehesh në “Kënga Magjike”, njëkohësisht edhe në skenë.

Fitnete Tuda: Rikthehem në skenë, por tani nuk jam vetëm, me Donin tim.

Ardit Gjebrea: Përse zgjodhe këtë moment për t’u rikthyer?

Fitnete Tuda: Ishte një ndjesi, një moment reflektimi, sepse kënga lindi gjatë pandemisë. Është një këngë për jetën, për dashurinë, buzëqeshjen, këtë vit të vështirë të cilin e kaluam edhe sikur kisha nevojë që të këndoj dhe të them këto që i ndjeva përmes këngës.

Ardit Gjebrea: Don, po t’i ishe dakord me mamin që të vije apo bëre pak rezistencë në fillim?

Don Duli: Në fillim kisha pak frikë, po tani kam qejf të këndoj me mamin.

Ardit Gjebrea: Fitnete, nëse do krahasoje emocionet e këndimit solo dhe me djalin si do i përshkruaje?

Fitnete Tuda: Ndjesia është shumë e bukur që jam sot këtu para publikut me djalin tim, Donin.

Ardit Gjebrea: Çfarë mësimesh të ka dhënë mami për këtë performancë?

Don Duli: Më ka thënë të mos kem frikë, të kënaqem. Nuk kisha nevojë të stresohesha se mos bëj gabim nëpër këngë. E ka bërë këtë këngë për qejf, për dashuri.

Ardit Gjebrea: Pra bëj qejf.

Foto e Fitnete Tudës dhe Don Duli nga performanca në “Kënga Magjike 2021”

Nuk mund të mungonin edhe pyetjet nga publiku për Fitnete Tudën dhe Don Dulin.

Pyetja 1: Pse zgjodhët të këndoni me djalin dhe jo me vajzën?

Fitnete Tuda: Ne e ftuam edhe vajzën. Ajo quhet Dua dhe ka talent, por ajo këndon vetëm për vete. Ndërsa Doni është më shumë i dhënë pas muzikës edhe ka pasur momente ku thoshte herë vij herë s’vij, por u bind dhe tha: Mami do ta këndojmë bashkë.

Pyetja 2: A mund të më thuash ndonjë gënjeshtër që i ke thënë mamit tënd?

Don Duli: Le të mendohem…

Fitnete Tuda: Diçka me internetin ndoshta…

Don Duli: I kam thënë vetëm një herë, por ka ndodhur shpesh.

Fitnete Tuda: Ka blerë lojëra nga interneti. /tvklan.al