Kreu i Kadastrës, Lame: Do të përfitojnë 780 familje, certifikatat pas 30 ditësh

Pas një çerek shekulli, përfundon odiseja e kompleksit më të madh të banimit në Shqipëri, i njohur si Kompleksi Malajzian në Tiranë. I pranishëm në inspektimin e këtij kompleksi ishte kreu i Kadastrës Artan Lame.

“Kadastra Shqiptare përfundoi një nga proceset më të gjata dhe me plot problematika. Bëhet fjalë për regjistrimin e apartamenteve të objektit “Kompleks me funksion banimi dhe shërbimi” të subjektit ndërtues “Tirana Development Corporation” dhe investitor “Kamza Development”, miratuar me vendim nr. 27 datë 26.10.1995 të Bashkisë Tiranë.

Kompleksi ka një sipërfaqe prej 56.000 m2, me rreth 100.000 m2 ndërtim dhe në të përfitojnë 780 njësi banimi dhe shërbimi, apartamente, dyqane, zyra, etj”.

Sipas kreut të Kadastrës, ky kompleks pallatesh është ndërtuar në vitin 1995, por tashmë i hapet rruga që çdo familje të marrë certifikatën e pronësisë.

“Banorët do të kenë një afat 30 ditor për të verifikuar emrat dhe pasuritë e tyre në listat që po afishon Drejtoria Vendore e Kadastrës Tiranë Rural 2. Këto lista do të afishohen në Njësinë Administrative Kashar, në Zyrat e Shoqërisë “Kamza Development” si edhe në faqen e Facebook të Kadastrës Shqiptare. Pas këtij afati Shoqëria do të fillojë shpërndarjen e dokumentit përfundimtar të pronësisë për secilin banor”.

Deri më sot në rang republike, janë 902 pallate të legalizuara, me rreth 20.000 familje përfituese dhe mbi 2,4 milion m2 ndërtim.

Klan News