Vetmia është një nga fenomenet e pashmangshme për ndokënd, por të dhimbshme dhe gërryese për shumëkënd. Braktisja nga njerëzit e dashur të zemrës, e bën vetminë edhe më të rëndë. Pikërisht, e tillë është edhe historia e një gruaje 50-vjeçare, të cilës para 19 vitesh i ka ndryshuar rrjedha e jetës. Dikur jetonte me shtëpinë plot me 5 fëmijë dhe më një bashkëshort në krah, ndërsa tashmë prej vitesh jeton e vetme.

Eva Sula quhet gruaja e cila 19 vite më parë pësoi një aksident me makinë dhe tani jeton në një karocë me katër rrota dhe e braktisur nga familja.

Ajo ka ardhur ditën e sotme në emisionin Historia ime në Tv Klan për të rrëfyer jetën e saj dhe gjithçka ka kaluar.

Mirela Milori: 19 vite më parë ndodh një aksident. Mund të ma përshkruash momentin e aksidentit?

Eva Sula: Ishte turni i tretë dhe ishte ora 4, në Xhamllik në trotuar vjen një makinë dhe më përplas. Unë po pastroja, ai hipi në trotuar, unë nuk e pashë dhe më goditi nga mbrapa. Më hodhi larg dhe u rrëzova pa ndjenja, vetëm kur e pashë veten në spital, nuk dija gjë. Nga ky aksident kam ngelur kështu.

Mirela Milori: Ndodhi aksidenti dhe personi që të përplasi u largua nga vendngjarja?

Eva Sula: Po, mua më gjetën në orën 6 të mëngjesit kur filloi lëvizja e qytetarëve. Disa burra a disa çuna nuk e di se çfarë ishin më çojnë tek spitali Nënë Tereza dhe i thonë që kjo nuk është për këtu. Më çojnë në spitalin Ushtarak më qepën këmbën, syrin, dorën dhe më dhanë disa ilaçe e më çuan në shtëpi.

Mirela Milori: Kur fillove të kuptoje që nuk komandoje dot gjymtyrët?

Eva Sula: E shikoja kur lëvizja nëpër shtëpi që nuk kisha fuqi të bëja asnjë gjë, sa vinte dhe rëndohesha.

Mirela Milori: Ti ndërkohë jetoje me bashkëshortin dhe fëmijët?   

Eva Sula: Po aty filloi dhe ndarja, kisha djalin 8 muajsh. Më pas ai iku nga shtëpia sepse ai kishte një lidhje tjetër që unë nuk e dija.

Mirela Milori: Në këtë moment të vështirë ai të braktisi dhe të la vetëm me 5 fëmijët?

Eva Sula: Po, vajza më e madhe në atë kohë ishte 16 vjeç, 14 e dyta, 7 vjeç e treta, 6 vjeç ishte goca e katërt dhe djali ishte 8 muajsh. Unë nuk dilja nga shtëpia, dërgoja fëmijët për çdo pazar sepse kisha frikë se mos më godiste prap ndonjë makinë.

Mirela Milori: Me çfarë jetonit ju?

Eva Sula: Me ndihmën ekonomike që ishte 50 mijë lekë të vjetra. Jetoja në shtëpinë e ish-burrit. Por shtëpia u prish më pas.

Mirela Milori: Më trego momentin kur u prish shtëpia dhe ju u detyruat të lëviznit në shtëpi me qira. Sa ishte qiraja, ku hytë, si ishte ky moment?

Eva Sula: Unë kisha në një shtëpi të vjetër që çfarë binte jashtë, binte dhe brenda në shtëpi. Një zonjë ishte nga Amerika dhe erdhi aty dhe foli anglisht. Unë nuk dija anglisht. Ajo pa një gjë të keqe aty në shtëpi dhe po i thoshte shoqes së saj që duhet të lëvizim. Morëm një shtëpi tjetër ku qiraja është 150 mijë lekë. /tvklan.al