Shfaqi probleme shëndetësore pas arrestimit

Një ditë pas arrestimit, Ardian Çapja u transportua një spital në Tiranë për shkak të problemeve shëndetësore. Çapja mund t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe po ruhet nga forca te shumta policie.

Ky është momenti i arrestimit të 53-vjeçarit, i akuzuar për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2012.

Ai u kap në shtëpinë e tij, një banese private në periferi të Elbasanit, në një operacion të koduar me emrin “Krasta 2021”, ku morën pjesë edhe forcat RENEA.

Ardian Çapja nuk ka bërë rezistencë edhe pse në shtëpi mbante një kallashnikov. Në shtëpinë e tij u gjetën edhe 5 radiomarrëse dhe disa uniforma policie.

Kur forcat RENEA hynë në shtëpi, ai ishte në shoqërinë e Ardi Çekanit, një person në kërkim, i dënuar me 1 vit e 6 muaj për veprën penale “Dhuna në familje”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Çekani kishte me vete një sasi të vogël mariujane. Ardjan Çapja akuzohet për ekzekutimin e Gentian dhe Nezir Beqirit, babë e bir. Krimi dyshohet se ka ndodhur për hakmarrje, pasi Gentian Beqiri ishte dënuar për vrasjen e Sokol Capes, vëllait të Ardianit, në vitin 2005.

Në vrasje, sipas policisë, ka marrë pjesë edhe Florenc Çapja, i shpallur tashmë në kërkim. Ai është arrestuar edhe më parë për këtë akuzë, por është liruar për mungesë provash. 

Tv Klan