Pas denoncimit në Stop, drejtoresha çon në polici qytetaren

Pas denoncimit në Stop, drejtoresha çon në polici qytetaren

21:28 09/10/2019

“Nuk e mora vesh përse përfundova 5 orë në polici”

Pak ditë më parë, Lauresha Tola, nënë e një djali që vuan nga sindroma down, solli shqetësimin e saj në Stop. Pas përmbytjeve dhe tërmetit, qendra publike “Të qëndrojmë së bashku” u vu në dispozicion të familjeve të prekura nga këto fenomene, duke lënë fëmijët pa zgjidhje e prindërit pa punë. Përgjegjësja e qendrës u shpreh se ka patur urdhër për shndërrimin e qendrës në vend pritjeje për të prekurit nga tërmeti e përmbytjet.

Por menjëherë pas transmetimit të problematikës së zonjë Tola në emisionin Stop, ajo u shoqërua në komisariatin numër 6. Po çfarë ndodhi?

“Pasi u transmetua problematika ime në emisionin Stop, drejtoresha e qendrës që unë denoncova, më thirri për një takim. Unë nuk pranova. Pasi ajo këmbënguli, shkova në takim dhe pa pritur nuk e mora vesh përse përfundova 5 orë në polici. Shoqërimi im ndodhi më datën 3 Tetor. Punonjësit e policisë i gjeta të ulur në zyrën e drejtoreshës, pa asnjë shfaqje dhune ose problematikë tjetër”, tregon Lauresha Tola për gazetaren e Stop.

Zonja Tola shtoi më tej se nuk kishte pasur asnjë konflikt apo debat me drejtoreshën.

“Me qetësinë më të madhe shkova në Komisariatin e policisë, aty bëra deklarimin tim, që shoqërimi ishte për arsye të një hakmarrjeje nga drejtoresha, për denoncimi që unë i bëra në emisionin Stop”.

Për avokatin e zonjës Tola shoqërimi i saj është “presion psikologjik”.

“Thjeshtë presion psikologjik, absolutisht asnjë gjë tjetër, nuk ka bërë asnjë denoncim, asnjë deklarim, ka shfrytëzuar rastin që ka djalin polic dhe nëpërmjet tij ka njoftuar sallën operative”.

“Klevi nuk vazhdon të shkojë tek qendra për arsye të ndonjë hakmarrje të drejtoreshës. Deri në momentin që ajo do jetë drejtoreshë unë nuk e çoj”, tha më tej Zonja Tola.

Gazetarja e Stop bisedoi vetë me drejtoreshën e qendrës në fjalë. Ajo tha se e kishte thirrur policinë pasi sipas saj zonja Tola kishte qenë e pamenaxhueshme. Drejtoresha gjithashtu kërcënoi se në qoftë se “ky muhabet do të vazhdojë, të jeni të bindur, që edhe ju (Stop) do të kërkoni ndjesë një ditë”.

Drejtoresha: Unë e thirra policinë, sepse zonja ishte e pamenaxhueshme.

Gazetarja: Çfarë nënkupton me “e pamenaxhueshme”?

Drejtoresha: “E pamenaxhueshme”, fliste me tone të larta, të ashpra, fyese ndaj personit tim.

Drejtoresha: Edhe mua më thirrën në polici bashkë me zonjën, ta shoqëroja.

(Gazetarja telefonon denoncuesen nga zyra e drejtoreshës).

Gazetarja: Laura, në momentin që ju jeni shoqëruar nga dy punonjësit e policisë, ka ardhur dhe drejtoresha me ju, apo keni qenë vetëm?

Denoncuesja: Jo, kam qenë vetëm me makinën e policisë, vetëm me policinë dhe policin.

Gazetarja: Pse nuk bëtë denoncim, se ju qenkeni ofenduar këtu?

Drejtoresha: Bëra deklarim, sepse nuk mund të merrem, të bëj akt-akuzë për një nënë fëmije.

Gazetarja: Ama komisariatin e lajmëruat.

Drejtoresha: Deklarimin e bëra, për t’i tërhequr vëmendjen, që të sillet mirë. Kjo është sjellë shumë keq me mua, duke më fyer, denigruar edhe në familje.

Gazetarja: Pse nuk e denoncuat?

Drejtoresha: Më vonë mund ta denoncoj!

Gazetarja: Ky është hapi i radhës që ju do merrni?

Drejtoresha: Po nuk është problemi aty, problemi është, që juve po më….

Gazetarja: Zonjë! Ky është hapi, që ju do merrni? Njëherë e shoqëroni, më pas e denonconi?

Drejtoresha: Në qoftë se do ta përsëris prapë, po!

Drejtoresha: Unë po them edhe njëherë, se në qoftë se ky muhabet do të vazhdojë, të jeni të bindur, që edhe ju do të kërkoni ndjesë një ditë./tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT