Mjeku Enes Hafizi dhe infermieri Pali Çuni të pavionit të Onkologjikut në QSUT, janë pezulluar nga detyra pas denoncimit të bërë nga emisioni “Stop” në Tv Klan.

Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila në një postim në rrjetet sociale ka falenderuar emisionin “Stop” për denoncimin e këtij rasti. Ministrja Manastirliu sqaron se ky rast ryshfeti do të ndiqet penalisht nga organet kompetente dhe askush nuk duhet të shkatërrojë besimin mjek-pacient.

Ogerta Manastirliu:

Faleminderit emisionit “Stop” për denoncimin! Reagimi ynë është:

Pezullim dhe shkarkim i menjëhershëm nga detyra për shtetasit me iniciale P.Ç dhe E.H., punonjës të shërbimit onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, dhe ndjekje të çështjes në organet kompetente. Jemi në krahun e çdo qytetari që denoncon! Kushdo që shkel ligjin dhe rregullat, baltos punën e një komuniteti profesionistësh, mjekësh dhe infermierësh si dhe dëmton raportin e besimit mjek-pacient, do të marrë ndërshkimin e merituar. Askush në sistemin shëndetësor publik nuk duhet të shpërdorojë detyrën dhe besimin e dhënë për t’u shërbyer qytetarëve. Po investojmë e punojmë çdo ditë për sistemin tonë shëndetësor. Po investojmë në përmirësimin e kushteve të punës, në rritjen e pagave për personelin mjekësor, në teknologji e pajisje, që të garantojmë për qytetarët e pacientët kujdes shendetësor cilësor. Raste si ky jo vetëm turpërojnë armatën e mjekëve dhe infermierëve të nderuar, që punojnë e sakrifikojnë ditë e natë per t’u kujdesur për ju, por dhe pengojnë permiresimin e sistemit! Ndaj, asnjë hezitim për të denoncuar”!

Emisioni Stop denoncoi përmes kamerës së fshehtë se mjeku Enes Hafizi apo doktor Nesti mori 1 mijë Euro nga e afërmja e një pacienti për ta futur pa radhë në kurimin me rreze tek pavioni onkologjik.

/tvklan.al