Pjesë e emisionit “Historia ime” në Tv Klan është bërë Drita Maxhari, 41 vjeçe që jeton në Pogradec dhe është nënë e tetë fëmijëve. Kur ishte 18 vjeçe, u martua për herë të parë, me mblesëri. Kjo martesë zgjati 10 vite. Kishin probleme të vazhdueshme, grindje, sherre. Ish-bashkëshorti nuk pranonte të punonte, ishte dembel, konsumonte alkool dhe shpesh dhe e dhunonte Dritën. Nga kjo martesë erdhën në jetë tre fëmijë, të cilët sot janë përkatësisht të moshave: 18, 16, dhe 12 vjeç. Drita është divorcuar prej tij para 12 vitesh, me vendim gjykate.

Gjithë këto vite, ish-bashkëshorti nuk ka shfaqur aspak interes për fëmijët e tij, madje as nuk i takon dhe nëse i sheh rastësisht në rrugë, nuk i flet fare dhe nuk ka mbajtur as përgjegjësinë ligjore që i takon.

Një vit pas ndarjes, Drita u martua  për herë të dytë, sërish me mblesëri me bashkëshortin që jeton edhe aktualisht. Bashkë kanë sjellë në jetë 5 fëmijë të tjerë, dy binjake secila nga 10 vjeçe, dhe tre fëmijë të tjerë, 6, 4 dhe i vogli 1 vit e gjysmë. Të gjithë fëmijët janë në shkollë. Drita nuk punon, sepse kujdeset për fëmijët.

Bashkëshorti punonte roje, deri para pak kohësh, punë më të vështira nuk bën dot se është i sëmurë me zemër. Drita kur mundet, pastron ndonjë shtëpi ose lan tapete. Jetojnë me qira dhe gjendja e tyre ekonomike nuk është e kënaqshme dhe as e qëndrueshme.

Drita kërkon pensionin e munguar të fëmijëve, që i takon ligjërisht, për të cilin i është drejtuar dhe Gjykatës, ka çuar dokumentet dhe tek Përmbarimi, por sipas Dritës ka 1 vit e gjysmë që e sjellin vërdallë dhe nuk i japin zgjidhje.

Drita ka treguar pavarësisht vuajtjeve që ka hequr dhe me 3 fëmijë në rrugë pas divorcit nga ish-bashkëshorti nuk u tundua të hynte në një rrugë të keqe, zgjodhi që të jetojë e qetë me fëmiëjt e saj dhe të mblidhte kanaçe gjatë natës.

Mirela Milori: Sa e lehtë është të mos shkosh në rrugë të gabuar kur ke 3 fëmijë në mes të rrugës?

Drita Maxhari: E lehtë nuk është sepse pas divorcit kisha shumë ngacmime.

Mirela Milori: Vinin njerëz që të ofronin të hyje në atë rrugë?

Drita Maxhari: Po, por nuk u dorëzova asnjëherë, thoja jo mirë jam me jetën që bëj. Nuk më intereson, pse t ashes trupin unë, për çfarë, nuk i dua ato lekë të tilla. Më mirë të dal të mbledh kanaçe tërë natën e trupin nuk e shes. /tvklan.al