Vlerësohet në tre kritere specialisti i ankesave pranë SHCBA, Albion Sinani

Pas dy muajsh ndërprerje për shkak të ndryshimeve në ligj, vettingu në polici ka rinisur me seancat dëgjimore ku të parët që filtrohen janë subjektet e SHCBA-së.

Albion Sinani, specialist i trajtimit të ankesave pranë shërbimit për çështjet e brendshme dhe ankesa pranë ministrisë së brendshme u verifikua në 3 kriteret e vlerësimit. Nga ana e komisionit të jashtëm, rezultoi se Sinani me eksperiencë prej 2 vitesh pranë SHCBA-së, ka pasuri të ligjshme dhe të ardhura që i justifikojnë.

Edhe për aftësitë profesionale dhe pastërtinë e figurës Sinani rezultoi i pastër, por komisioni i jashtëm i vlerësimit u shpreh se subjekti nuk ka patur eksperiencën e duhur para se të niste punën pranë SHCBA-së. Specialisti i trajtimit të ankesave pas përfundimit të shkollës në 2015 ka punuar vetëm 4 muaj pranë komisionit qendror të zgjedhjeve, dhe më pas ka aplikuar për tu bërë pjesë e SHCBA-së.

Për tu bërë pjesë e kësaj strukture ai duhej të kishte 2 vite eksperiencë në këtë, të cilën nuk e dispononte. I pyetur për këtë Sinani u shpreh që SHCBA ishte në dijeni të këtij fakti të cilët e kishin pranuar të bëhej pjesë e stafit. Gjetjet e komisionit dhe argumentet e paraqitura në seancë do të shqyrtohen ndërsa në ditët në vijim do ketë dhe seancë për vendim ndaj tij.

Albion Sinani është zyrtari i 40 që kalon në filtrin e vettingut. Gjatë dy viteve, prej nisjes së procesit, janë konfirmuar në detyrë 30 drejtues, janë përjashtuar nga detyra 4, ndërsa kanë dhënë dorëheqjen 5 të tjerë.

Në këtë fazë të procesit do vlerësohen vetëm drejtuesit e SHCBA-së të cilët pas përfundimit do bëjnë filtrimin e trupës policore dhe të gardës së republikës.

Klan News