Prej 2 vitesh, Ikja, 67-vjeçarja që jton në Eminas të Shijakut, gjendet në mjerim. Ajo është e vetme, pa fëmijë e bashkëshort sepse gjithë jetën u është dedikuar prindërve që prej 20 vjetësh janë ndarë nga jeta. Shtëpia ku jetonin është plotësisht e shembur dhe e pabanueshme, ndaj rrethanat e kanë detyruar të jetojë në tualetin e fqinjit që është përshtatur si një lloj strehe për të.

Kjo vijon prej 2 vitesh, ndaj kur “Fundjavë Ndryshe” mësoi rastin e saj, nuk vonoi t’i futej menjëherë punës. Arbër Hajdari dhe moderatori i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea e takuan Iken, mësuan për jetën e saj të vështirë, sëmundjet që e mundojnë vazhdimisht për shkak të gjendjes ku ndodhet dhe gjithçka nisi në kohë rekord.

Fillimisht, Arbër Hajdari i tha Ikes që menjëherë pas takimit, ajo do të vendosej në një shtëpi të improvizuar me të gjitha kushtet e nevojshme derisa të realizohej shtëpia e saj. Pas pak ditësh, është momenti i madh kur Ikja do të prekë nga afër magjinë e së “Dielës Ndryshe” për të parë shtëpinë e saj të re.

Shtëpia nuk është më në rrugën me baltë e gropa, por më afër fshatit që ajo të ketë mundësi të jetojë në komunitet. Aty ndodhet edhe një qendër shëndetësore dhe si për ta mirëpritur Iken, një dallëndyshe ka ndërtuar folenë aty.

67-vjeçarja s’arrin dot ta besojë se më në fund, gjithçka ka mbetur pas dhe nuk resht së falënderuari me lot gëzimi ndër sy. Shtëpia ka gjithçka i duhet asaj, teksa Arbër Hajdari e siguron se “Fundjavë Ndryshe”  do të jetë gjithnjë pranë saj për ta ndihmuar./tvklan.al