Adelajda Xhamani u nda papritur nga jeta 3 vjet më parë, në moshë fare të re. Humbja e saj tronditi jo vetëm familjen e gazetares, por edhe miqtë e të njohurit e saj. Ndër to është edhe balerina Isida Mollaymeri, e cila edhe sot e kësaj dite, kur flet për humbjen e Adelës, në zërin e saj dallohet ende trishtim. E ftuar këtë të shtunë në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Mollaymeri tha se që prej humbjes së mikeshës së saj, nuk ka më frikë nga vdekja.

“Të them të drejtën deri para 3 vjetësh, dje u bënë para 3 vjetësh, me trembte shumë, por që në momentin që kam humbur një shoqen time, nuk më tremb fare vdekja dhe mendoj që edhe sot nëse vdes nuk kam asnjë pishman, asnjë gjë, nuk më tremb më. Dikur më trembte shumë, i druhesha shumë vdekjes, shkoja me vrap tek doktori nëse më ndodhte gjë, bëhesha shumë keq.

Ndoshta humbja e Adelës më ka shkundur shumë dhe më ka bërë të kuptoj që jeta është kaq e bukur, kaq e shkurtër, sa ne jemi shumë kalimtarë. Kështu që edhe nëse vdes nuk është se ndodh ndonjë gjë. Kur e prek kaq afër kupton që asgjë nuk ka kuptim, domethënë ne jemi kalimtarë në këtë jetë. Nuk më tremb fare”./tvklan.al