Lidhur me problemin e ndërtimit pa leje në zonën e Urës së Tabakëve, gazetarja e emisionit ivestigativ “Stop” në Tv Klan interesohet te specialisti i zonës Agim Meçe, i cili e përcjell tek Komisariati numër 1.

Vetë Preng Bërdufi, personi që po ndërton, deklaron se nuk ka asnjë letër dhe e ka bërë ndërtimin me kokën e tij e për këtë është dënuar me gjobë 1 milionë e gjysëm lekë, por ndërtimi nuk i është prishur.

Gazetarja: Unë jam Odeta, gazetare nga emisioni “Stop” dhe kam një problematikë: Pas “Urës së Tabakëve” bëhet fjalë për këtë ndërtimin pa leje të Preng Bërdufit.

Specialisti i zonës Agim Meçe: Kalo në Komisariat merr sqarim!

Gazetarja: Ju si specialist i zonës, çfarë pune kemi bërë?

Specialisti i zonës Agim Meçe:  Ju lutem! Ju lutem, kaloni në Komisariatin nr. 1, për të sqaruar situatën situatën! Faleminderit!

Për këtë problematikë, vihet në dijeni nga “Stop” Policia Bashkiake.

Gazetarja: Ti si Polici Bashkiake, a e ke njoftuar IMT-në për këtë situatë?

Polici Bashkiak: Po, po, po, po, po, po! Ne njoftojmë Inspektoriatin Ndërtimor, ato kanë strukturat e veta që bëhet vlerësim: Është me leje, është pa leje, është ndërtim është etj, etj… Po normalisht drejtohuni sallës operative të policisë Bashkiake!

Pas bisedën me Policinë Bashkiake, gazetarja e emisionit “Stop” komunikon me sallën operative.

Gazetarja: Jam Odeta nga emisioni investigativ “Stop”. Doja të bëja një denoncim për ndërtim pa leje, ku mund të drejtohem?

Salla operative: Mund të na thoni edhe neve, ju çojmë shërbimet e policisë. Çfarë vendi je?

Gazetarja: Tek Njësia 2 pas “Urës së Tabakëve”.

Salla operative: Ne po çojmë shërbimin aty dhe kur të vijë shërbimi, mund të kontaktoni me shërbimin tek Njësia 2, tek Ura e Tabakëve! Gjithë të mirat! Mirupafshim!

Maringlen Qato, Drejtor i IMT-së shprehet se nuk ishte në dijeni të rastit, por do të marrë masa dhe do të veprojë.

Mariglen Qato: Sapo ma the, por nuk ia di të kaluarën. Nëse ky ka marrë gjobë, ka marrë vendim prishjeje, dhe nëse ka marrë vendim prishjeje dhe nuk i është ekzekutuar deri tani, absolutisht do t’i ekzekutohet tani.

Pas kësaj, IMT i la detyrë Preng Bërdufit, të prishë ndërtimin e katit të dytë dhe prishja u realizua nën vëzhgimin e inspektorëve të IMT-së.

Dajana Prifti: Një falenderim shumë të madh për emisionin tuaj dhe Tv Klan. Ky është rezultati që ka filluar prishja e këtij krimi ndërtimor. Kishim 2 vjet që rendnim në dyert e komisariatit dhe IMT-së dhe më në fund gjetëm zgjidhje nga emisionin juaj.

Gjergji Kola: Falenderoj emisionin “Stop” që na zgjidhi këtë hall të madh./tvklan.al