Nuk ekziston diçka si “konsumi i padëmshëm i alkoolit”. As gota e verës në darkë nuk është aq e mirë sa mendonim.

Alkooli lidhet me më shumë se 60 sëmundje, përfshirë mëlçinë dhe 6 forma kanceri e depresioni. Mjekët shpjegojnë se si dy gota alkool në ditë mund të shkurtojnë jetën me një dekadë. Ja cilat organe preken më shumë nga konsumi i pijeve alkoolike.

Truri

Studimet e fundit kanë gjetur një lidhje midis konsumimit të rregullt të alkoolit, vetëvrasjes dhe depresionit. Alkooli ndikon në humor dhe mund të jetë shkaktar i ankthit. Njerëzit që pinë përpara se truri i tyre të jetë zhvilluar plotësisht, pra para moshës 25 vjeç, mund të jenë duke i shkaktuar dëmtime të përhershme. Problemi është se në këtë moshë konsumohet edhe më shumë alkool, pra nga 18-25 vjeç.

Gjinjtë

Ndërprerja e prodhimit të hormoneve për shkak të alkoolit mund të çojë deri në kancer të gjirit. Pijet alkoolike shkaktojnë rritje të estrogjenit dhe hormoneve të tjera femërore në organizëm dhe dëmton qelizat e ADN-së. Krahasuar me femrat që nuk pinë, ato që konsumojnë deri në 3 gota alkool në javë kanë 15% më shumë gjasa për t’u sëmurur nga kanceri i gjirit. Ky risk rritet me 10% për çdo gotë shtesë që një grua konsumon.

Zemra

Dy gota verë në ditë ose 14 në javë rrisin mundësitë e një ataku ose infarkti kardiak. Alkooli rrit presionin e gjakut duke e munduar zemrën pasi truri nuk ka më kontroll të plotë mbi trupin. Kjo shkakton rritje të ritmit të zemrës dhe frymëmarrjes.

Zorrët

Nëse pi mbi 14 gota alkool në javë, ke më shumë predispozita për t’i shkaktuar vetes kancer të zorrëve dhe sistemit gastrointestinal, përfshirë gjuhën, fytin dhe shkatërrimin e mëlçisë.

Fertiliteti

Nuk ekziston një kufi i sigurtë për konsumin e alkoolit nga gratë shtatzëna ose nënat që ushqejnë fëmijët me gji. Gratë që përdorin kontraceptivë duhet të jenë të kujdesshme me sasinë e alkoolit pasi organizmi i tyre nuk e shpërbën njësoj si gratë që nuk e konsumojnë. Përgjithësisht, pija është më e dëmshme për femrat se sa për meshkujt sepse kanë përqindje më të larta të yndyrës që nuk e përthith alkoolin./tvklan.al