I gjithë vendi është zhytur në kaos. Pas disa ditësh mungese të energjisë elektrike, në Venezuelë tashmë edhe uji është ndotur. Banorët në qytetin San Diego kanë postuar foto në rrjetet sociale të ujit të zi që rrjedh në çezmat e tyre.

Ata ankohen se uji është i kontaminuar me naftë. Qyteti ka vuajtur ndërprerjen e furnizimit me ujë prej disa muajsh, por tashmë situata është përkeqësuar më shumë për shkak edhe të ndërprerjes së energjisë elektrike. Uji u rikthye të mërkurën, ndërsa qytetarët denoncuan faktin se në çezmat e tyre dilte ujë i zi. Venezuela ka rezervat më të mëdha të naftës së papërpunuar në botë, por Presidenti i vendit Nicolas Maduro është akuzuar për keqmenaxhim, duke e zhytur vendin në varfëri.

Qytetarët janë detyruar që të mbushin ujë nëpër lumenj dhe vende ku buron ujë i pastër. Prej një jave e gjithë Venezuela është zhytur në errësirë dhe kaos për shkak të shkëputjes së energjisë elektrike. Qeveria e Maduros akuzon kreun e opozitës Juan Guaido për këtë situatë, për të cilin thonë se me mbështetjen e SHBA ka sulmuar kibernetikisht sistemin e energjisë. Guaido, i cili mbështetet nga Presidenti amerikan dhe shumë vende Perëndimore të botës, akuzojnë Presidentin Maduro për keqqeverisje dhe korrupsion, që ka zhytur në varfëri një nga shtetet më të pasura të Amerikës Latine.

/tvklan.al