Vendimi për të mbajtur një maratonë në Valencia të Spanjës lindore vetëm një muaj pasi përmbytjet shkatërruan rajonin ka ngjallur polemika.

Banorët janë të ndarë në mendime.

Disa thonë se është shumë herët për të mbajtur një aktivitet të tillë sportive, ndërsa të tjerë e mirëpresin këtë nismë me arsyetimin se do të jetë  një nxitje për sektorin e  turizmit që mund të ndihmojë në rimëkëmbjen e rajonit të shkatërruar.

Dy javë më parë, organizatorët e garës prej 42.2 km bënë të ditur se rreth 35,000 pjesëmarrësve ishin regjistruar për maratonën e cila do mbahet në muajin Dhjetor dhe do të përdoret për të  mbledhur fonde që do të shkojnë për  rindërtimin e objekteve sportive të shkatërruara.

“Këtë javë ne jemi ende duke u përshtatur me situatën ndërsa përgatitemi gjithashtu për të vrapuar për maratonën. Fizikisht, stërvitja është më shumë një fazë rikuperimi dhe është gjithashtu një çlirim psikologjik. Maratona ka të bëjë me përpjekjen për të gjetur diçka që mund të të sjellë gëzim në këto tre javë që kanë qënë shumë të vështira për shkak të përmbytjeve”.

Pavarësisht kritikave, atleti spanjoll shpjegon se maratona do të do të ndikojë edhe psikologjikisht tek pjesëmarrësit.

“Të jesh me shokët e skuadrës, me njerëzit që të bëjnë të buzëqeshësh dhe të ndihmojnë të shkëputesh, kjo është ajo që na bëri të mendojmë se ishte e mundur ta realizojmë maratonën. Përveç kësaj, ne ishim tashmë të përgatitur, secili me qëllimet dhe historitë e veta”.

Ignacio David Cardona thotë se maratona është një nga shenjat e rimëkëmbjes së rajonit.

“Përpara na presin muaj rimëkëmbje dhe shumë të pasigurt. Njerëzit do të fillojnë të marrin ndihmë financiare dhe ne të gjithë do të duhet të zëvendësojmë makinat që kemi humbur, do të rindërtojmë bizneset që kemi humbur dhe  shtëpitë tona që janë rrënuar. Dhe pak nga pak do të fillojmë të dalim  nga ky kaos”.

Megjithatë, atleti Pau Gisbert nga Paiporta, një nga qytetet më të goditura, tregon për agjencinë e lajmeve Reuters se e ka të vështirë përgatitjen për maratonën.

“Fizikisht, muaji para maratonës është një nga më të rëndësishmit për stërvitje. Dhe gjatë atij muaji, mendja ime nuk ka qenë tek stërvitja, por për të ndihmuar fqinjët e mi dhe qytetin tim, Paiporta, të ecin përpara. Një pjesë e madhe e atyre që janë prekur nga përmbytjet nuk janë në gjendje të vrapojnë për shkak të problemeve të shëndetit mendor”.

Ai shpjegon se qëllimi i tij është të ndihmojë banorët e prekur dhe kjo është arsyeja pse ka vendosur që këtë vit të mos marrë pjesë.

“Nuk mund të them a po ja dalim apo jo. As vetë ne nuk e dimë se si ndihemi. Po përpiqemi t’ja dalim në një qytet i cili praktikisht nuk po ja del dot. Edhe pse instikti të shtyn të vraposh për maratonën në mënyrë që për ato 4 orë të ndihesh si një person normal, mendja jotë është diku tjetër. Arritja e një qëllimi personal është shumë e parëndësishme kur të duhet të ndihmosh në rindërtimin e një komuniteti të tërë”.

Ai tregon arsyet e vendimit të tij.

“Ka një përqindje të vogël njerëzish që besojnë se maratona nuk duhet të zhvillohet, por shumica prej nesh që kemi vendosur të mos marrin pjesë ka qenë sepse nuk ishim gati të përballeshim me një fatkeqësi natyrore. Një ditë u zgjuam dhe jeta ndaloi”.

Dhe pse vetë ka vendosur të mos marrë pjesë, ai e sheh pozitivisht këtë aktivitet.

“Ajo maratonë, ky aktivitet ​​prej 4 orësh do të nënkuptonte 4 orë normalitet, ku njerëzit  të mbështesin, dhe ti nuk ndihesh më një person që ka humbur gjithçka nga përmbytjet por një njeri normal që merr pjesë në maratonë. Ne gjithashtu duhet të kemi parasysh që Paiporta do të pastrohet dhe rindërtohet, por kur ecën në rrugë dhe flet me fqinjët, ka një dëmtim shumë të fortë psikologjik dhe do të na duhet shumë kohë për ta rregulluar këtë. Kjo maratonë do të jetë si një oaz i vogël në shkretëtirë. Përveç rindërtimit, duhet të kuptojmë se do të duhet shumë kohë për të shëruar plagët psikologjike dhe mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme për mendimin tim. Edhe pse vendosa të mos marr pjesë, ne kemi nevojë për këtë hapësirë ​​të vogël ku mund të jesh një person normal, duke u përgatitur për një maratonë dhe i vetmi shqetësim që ke në jetë është të përfundosh garën”.

Metodat e mbledhjes së fondeve përfshijnë donacione nga organizata prej 3 Euro për çdo vrapues që arrin në vijën e finishit, sponsorizime dhe një platformë të veçantë për donatorët privatë.

Nga ana tjetër, pronarët e hoteleve dhe restoranteve shohin një mundësi për të tërhequr sërish turistë në një nga destinacionet më të njohura të vendit, duke i hapur rrugën një rikthimi në normalitet pas tragjedisë ku humbën jetën më shumë se 220 njerëz.

Në javët pas përmbytjeve, deri në 60% e vizitorëve anuluan rezervimet e tyre në hotel dhe restorantet panë një rënie prej 80% të klientëve.

Klan News